Prishtinë - Kosova mund të përballet me deficit të madh buxhetor, për shkak se planifikimet të cilat janë mbështetur në ndihmën financiare të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) mund të dështojnë. Një krizë e tillë vjen si pasoj e vendimit të qeverisë për rritjen e pagave për 50 përqind, gjë e cila ishte në kundërshtim me marrëveshjen e lidhur me FMN-në. Andaj ka mundësi që FMN-ja të mos e japë ndihmën e premtuar, prej 200 milion eurosh për vitin 2011, ndërkohë që projektbuxheti është planifikuar edhe me këtë 200 milionësh, shkruan e përditshmja Zëri.
Zyrtarisht nga Qeveria thonë se nuk kanë marrë asnjë shkresë nga FMN-ja për mosdhënien e ndihmës. "Deri më tash nuk na ka ardhur asnjë vendim i FMN-së se nuk do të jepet kjo ndihmë", ka thënë për gazetën Muharrem Shahini nga Zyra për informim e Ministrisë së Ekonomisë edhe Financave. Ai thotë se sa u përket pagave këtë fundjavë ministri në dorëheqje i MEF-it, Ahmet Shala, do të shkojë në Uashington për të diskutuar detajet e buxhetit.
Mirëpo, edhe zyrtarisht shefi i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë, Hoze Sulemane, ditë më parë pat deklaruarar se "nëse Qeveria nuk i përmbahet marrëveshjes me FMN-në, për rritje pagash më së shumti 7 deri 8 për qind, atëherë vendi rrezikon t'i humbasë ndihmat financiare nga ky institucion".
Pos ndihmës financiare të FMN-së, Qeveria e Kosovës ka llogaritur që në vitin 2011 të inkasojë edhe 300 milionë euro nga shtija e PTK-së, duke e minimizuar kështu vlerën e kësaj ndërmarrjeje.




China Spring Festival