Kryeministri këmbëngul se nuk mund të ketë ndryshim të marrëveshjes për Asociacionin dhe shpreh befasinë e tij që populli kosovar po e kërkon një gjë të tillë, duke argumentuar se kjo dëshmon mosbesim ndaj partnerëve tanë. Kryeministri e ka kuptuar se atij nuk mund t’i besojë populli më, prandaj po i merr si barrikadë mbrojtëse partnerët. Është lojë shumë perfide kjo, për të cilën Kryeministri ynë nuk e ka kalibrin e lojtarit të mirë, megjithë intencat e tij. Ndonjëherë ambiciet e njeriut i tejkalojnë aftësitë reale të tij, fatkeqësisht! Çuar në fund, çfarë ai po bën është „divide et impera“, përçaj e sundo; përçaj kundërshtuesit e Asociacionit me partnerët e ndoshta mbetesh në pushtet; tregoju partnerëve se kundërshtuesit e Asociacionit (të cilët „rastësisht“ qëllojnë të jenë edhe kundërshtuesit e Kryeministrit) qenkan mosbesues dhe shpreso se partnerët do t’i ndëshkojnë kundërshtuesit dhe do të përkrahin ty.
Pikë së pari, kundërshtuesit e Asociacionit janë populli yt, zoti Kryeministër! Dhe mos mendo se fiton respekt te partnerët duke kritikuar njerëzit e tu.
E dyta, të kundërshtosh një marrëveshje, e cila me gjasa të mëdha do të jetë e dëmshme për të ardhmen e Kosovës, nuk do të thotë se je kundër të drejtave kulturore apo çfaredoqofshin të pakicës serbe. Ne nuk kemi qenë asnjëherë agresorë ndaj serbëve, përpos natyrisht në rrethana lufte. Serbia ka qenë ajo, e cila e ka humbur të drejtën e qeverisjes me Kosovën shkaku i represionit masiv dhe politikave të saj gjenocidale ndaj shqiptarëve. E ka humbur edhe luftën kundër partnerëve tanë. Kosova ka qenë bashkëpunuese shembullore në të gjitha kërkesat që i janë bërë për koncesione. Në disa pika madje i ka shkelur interesat e saja, vetëm e vetëm që të tregohet bashkëpunuese. Pas koncesioneve të bëra nga ana e Kosovës, nuk duhet të kërkohet më shumë nga populli. Të presim njëherë njohjen nga Serbia, pastaj e jetësojmë Asociacionin. Kjo mendoj do të ishte zgjidhja më e drejtë. I gjithë shqetësimi rreth Asociacionit ka të bëjë me një kalkulim: poqese jetësohet Asociacioni, Serbia dhe serbët e manipuluar nuk do të mjaftohen me kaq! Historia është përplot shembuj. Sigurisht do të gjejnë hapësira, do t’i krijojnë ato, për të kërkuar autonomi politike brenda Kosovës. E Serbia pastaj të thotë: Pa u njohur autonomia e komunave serbe, nuk e njohim shtetësinë e Kosovës! Prandaj po asociacionit, asgjë kundër. Mirëpo tek pas njohjes së shtetësisë sonë dhe pas hyrjes në BE të Kosovës. E këtu po kaloj te një deklaratë e Erhard Busekut.
Erhard Busek ka thënë se Serbia, pasi të hyjë në BE, mund ta bllokojë Kosovën. Natyrisht se do ta bllokojë. Këtë e dimë edhe ne. Ajo do ta bllokojë Kosovën edhe nëse Kosova ka bërë gjithçka çfarë ka dashur Serbia. Por kjo nuk është problem vetëm për ne, por edhe për BE-në. Ajo le të mirret me Serbinë dhe bllokadat e saj. BE-ja duhet ta dijë vetë, se a e don një shtet të dështuar para derës së saj, një vrimë të zezë në hartën e Evropës. Ne nuk mund të dimë se çfarë do të sjellë historia. Ajo është variabla më volatile.
Ne ju besojmë partnerëve tanë, por e dimë se gjërat ndryshojnë sipas konteksteve. Vetëm ta rikujtojmë rastin e Ukrainës. Kush do ta kishte menduar se Rusia do të bënte një hap të tillë në Ukrainë, duke qenë se për sigurinë e saj ishte nënshkruar Memorandumi i Budapestit në dhjetor të vitit 1994, ku palë nënshkruese kishin qenë Amerika, BE-ja dhe Rusia. Në shkëmbim të një premtimi për garantim të sigurisë, Ukraina kishte hequr dorë nga arsenali i saj bërthamor dhe i kishte lejuar flotës ruse të qëndrojë në portin e Sevastopolit. Ne ju besojmë partnerëve, mirëpo ngjarjet gjatë historisë i detyrojnë ata të ndryshojnë qëndrimet e tyre. Prandaj më mirë të sigurohemi që ta mbajmë për veti atë që kemi tani, sesa të shpresojmë se do të marrim diçka më të madhe në të ardhmen.
Shtetet e Bashkuara ka kohë që janë tërhequr nga Ballkani. Tani e sa kohë, për Ballkanin dhe në veçanti për çështjen e Kosovës primatin e ka BE-ja. SHBA janë tërhequr edhe nga vetë përkushtimi ndaj Evropës në përgjithësi. Natyrisht jo komplet, mirëpo është reduktuar në masë të madhe përkushtimi transatlantik. SHBA me presidentin Obama ka ndjekur një politikë të përqëndruar në interesat e ngushta shtetërore, duke rimëkëmbur ekonominë, shëndetësine dhe edukimin, dhe në rrafshin ndërkombëtar vetëm se i ka vazhduar sa për t’i mbaruar në mënyrë të paqme detyrimet e SHBA-së. Presidenti Obama nuk e ka kërkuar një rol udhëheqës për Amerikën, nuk ka dashur që SHBA të marrë përsipër ofrimin e sigurisë botërore, por i’a ka lënë në duar edhe Evropës të mirret me to. Tërheqja e Amerikës natyrisht e ka intriguar Rusinë që të rifitojë respektin, sidomos në territoret e dikurshme të UdSSR. Çdoherë kur është tërhequr Amerika për t’i lënë çështjet e sigurisë ndërkombëtare në duar të rajoneve, ka pasuar një situatë krizash botërore. Evropa për fat të keq, nuk ka akoma ndonjë politikë të jashtme koherente, sepse shtetet nuk e kanë dorëzuar sovranitetin e tyre në këtë pikë tek institucionet e BE-së. Politikat respektive të shteteve anëtare të BE-se vetëm se koordinohen mes veti në BE. Prandaj, shpesh ndodhë të mos shkohet më zgjidhjen më të mirë për rastin e caktuar, por të bëhet një zgjidhje, për të cilën nuk ka kundërshtime nga asnjë nga shtetet anëtare. Dhe kësisojë ndodhin edhe formulimet për politikat ndaj Kosovës. Dhe e dimë se çfare janë ato sepse po i tregojnë rezultatet.
Partnerët tanë do të duhej të na përkrahin më fortë. Jo pse e kërkojme ne, por sepse është në interes të tyre. SHBA vështirë se do të gjejë shtete më përkrahëse se Kosovën dhe Shqipërinë në këtë pjesë të Evropës. Serbia dhe Greqia kanë qenë aleate të Rusisë që prej kohëve historike. Shqipëria dhe Kosova kanë një popullatë të re dhe dinamike, e cila është lojale edhe në rastet kur duhen ushtarë në frontet e luftërave të NATO-s. Shqipëria e ka daljen në det, dhe poqese asnjë shtet tjetër evropian nuk do të lejonte baza ushtarake për Amerikën, në Shqipëri e Kosovë do t’i kishin. Edhe kur vetë Evropa do të ishte kundër Amerikës, ne prapë nuk do ta harronim se edhe me 1912 Shqipërinë edhe më 1999 e krijuat Kosovën.
Për ta përmbyllur, po kthehem prapë te Kryeministri: Zoti, Kryeministër, kur ju thoni se ne nuk po i besojmë partnerëve, atëherë mbase po mendoni se ne nuk dijmë çfarë ndodhë në botë, se e injorojmë historinë. Apo ndoshta jeni ju ai, i cili nuk keni fare njohuri për politikat ndërkombëtare?
Populli shqiptar është mikpritës, është falënderues, është besnik. Por, zoti Kryeministër dhe të nderuar SHBA dhe BE: Ne nuk jemi injorantë! MOS na trajtoni si të tillë!