Të paktën 12 persona kanë vdekur pasi një barkë e cila po bartte refugjatë është përmbytur në Detin Egje në përpjekje për të arritur në ishullin grek Lesbos, raporton agjencia turke e lajmeve Anadolu, transmeton Klan Kosova.
Fuvernatori i Çanakalasë Hamza Erkal, ka thënë se në barkë ishin më shumë se 48 refugjatë – shumica prej tyre sirianë – të cilët janë fundosur rrugës për në Greqi.
Rojat bregdetare të Turqisë kanë arritur të shpëtojnë 25 refugjatë nga barka e drurit, e cila ishte fundosur afër qytetit Ayvacik në perëndim të provincës së Çanakalasë.
Gardat e bregdetit turk janë në kërkim edhe të 11 refugjatëve të tjerë që tani për tani janë deklaruar të humbur.
Qindra njerëz shumica prej tyre të ikur nga konflikti në Siri, kanë humbur jetën në përpjekje për të arritur në ishullin Lesbos të Greqisë për t’iu drejtuar më pas vendeve perëndimore.
Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Emigracionit – IOM, më shumë se 3,000 refugjatë e kanë humbur jetën gjatë kalimit të tyre përmes Detit Mesdhe, në mesin e të cilëve 246 kanë vdekur në ujërat që ndodhen mes Greqisë dhe Turqisë.
Rreth 505,700 refugjatë kanë arritur në Europë nga deti gjatë këtij viti, shumica prej të cilëve kanë hyrë në Europë nga Greqia.