Zyrtarë nga dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj i janë kundërpërgjigjur të shtunën kryetarit të Ferizajt, Muharrem Svarqa, i cili për medie kishte komentuar kërkesën e këtij subjekti drejtuar Ministrisë së Pushtetit Lokal për suspendimin e tij nga posti i kreut të Ferizajt.
Nënkryetari i degës së PDK-së, Lulzim Aliu, njëherësh këshilltar komunal i KK-së, përmes një konference për gazetarë ka thënë se Svarqa opozitën e Ferizajt e ka barazuar me opozitën në Prishtinë, ka shprehur akuza se PDK po interpreton ligje, nene e paragrafe, rregullore e statute sipas dëshirës, se është fajtore për mos mbajtjen e mbledhjes së jashtëzakonshme ku duhej të votohej Korniza Afatmesme Buxhetore.
“Veprimet tona, vërejtjet tona, sugjerimet tona, ndihmën tonë i ka barazuar me dhunën, fyerjen, me ndërprerjen e dhunshme të fjalës, më pipëzën e zhurmshme, me spërkatjen e kolegëve deputetë e me sulmin kimik me gaz”, është shprehur Aliu, teksa ka numëruar mbi 20 raste të shkeljeve të ligjit, të cilat, sipas tij, janë të mjaftueshme që edhe pa kërkesën e PDK-së drejtuar MAPL-së, sipas ligjit në fuqi, kryetari i komunës do të ishte pa kurrfarë kompetencash dhe do t’i nënshtrohej procesit të suspendimit nga ana e Qeverisë së Kosovës.
“Ai nuk e ka bërë me kohë propozimin për buxhet të vitit 2016 dhe Ministri i Financave, me ligj ka qenë i detyruar që ta bëj këtë që e kemi bërë ne”, ka theksuar Aliu, ndërsa ka përkujtuar se detyra e një kryetari të komunës është bërja e buxhetit dhe shpenzimit të tij sipas planifikimit.
Para secilës çështje të ngrehur, nënkryetari i PDK-së ka qenë i prerë “kryetari e di ose është dashur ta di”, duke numëruar një për një rastet, si: vendimi për ridestinim të mjeteve merret nga kuvendi dhe jo nga ai; rreptësishtë është e ndaluar që mjetet nga investimet kapitale të harxhohen për kategorinë mallra dhe shërbime; është i obliguar të bëj pasqyra reale të shpenzimeve; nuk mund të bëjë emërime të paligjshme siç bëri me zyrën e inspektorëve dhe me drejtorë shkollash; në Zyrën e Prokurimit mund të punojnë vetëm shërbyesit civilë; se komuna sipas ligjit për buxhet 2014 dhe 1015, ka 299 punëtorë dhe çdo përpjekje për të punësuar punëtorë të rinj përbën shkelje dhe çështje tjera.
Aliu i ka përkujtuar Svarqës se ka për obligim ligjor që riorganizimin e komunës ta paraqes me një organogram, nuk mund të jep paranë publike si donacion dhe të mos kontrollojë shpenzimin e saj, se nuk guxon të anashkalojë procesin e tenderimit për asnjë blerje të bërë nga ana e komunës, se revidimi i planeve rregullative bëhet çdo 5 vjet dhe kur do ai, se nuk mund të bëjë kompensim pronash duke e bazuar në vendime të anuluara, se një parcelë që destinohet për ndërtim të objekteve sociale, këtë destinim nuk mund ta ndryshojë ai, por kuvendi dhe tjera.
Sipas nënkryetarit Aliu, kryetari Svarqa duhet të dorëhiqet, ndërsa në rast se nuk do të ketë reflektim dhe në rast se vazhdon të injorohet kuptimi i ligjit, i ta pasurit rregull, nëse nuk jepet një përgjigje nga ana e MAPL-së, PDK-ja do t’u drejtohet gjykatave kompetente për suspendimin e tij.