Lajmet e fundit

Politika e Kosovës: Dëgjueshmëria deri në servilitet dhe manipulimi me “përkrahjen ndërkombëtare”!

Sa herë që është fjala për proceset si dialogu me Serbinë, hetimi dhe dënimi i pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte, ose ndonjë koncesion i palës kosovare përballë kërkesave serbe, ndërkombëtarët nuk ngurojnë të shprehin menjëherë përkrahjen e tyre për lidershipin kosovar.

Analistë politikë dhe njohës të çështjeve në Kosovë e kanë vërejtur këtë dhe mendojnë se po të ndodhte kjo përkrahje edhe kur është fjala për ndonjë proces tjetër që është në të mirën e përgjithshme të popullatës, edhe asaj shumicë, Kosova sigurisht se nuk do ta kishte primatin në rajon si vendi ku ka krim të organizuar, korrupsion, veprime mafioze, nepotizëm e autoritarizëm, diferencë të madhe sociale, me varfëri të skajshme të popullatës dhe me pushtetarë që shumë shpejt bëhen milionerë.

Analisti Donik Sallova thotë se kjo përkrahje selektive e ndërkombëtarëve për vendorët bëhet për shkak se kur është fjala për proceset si dialogu me Serbinë atyre u intereson që këto procese të ecin parapara, pasi ata vetë e udhëheqin këtë proces, ndërsa pala kosovare aty është një palë dhe ndërkombëtarët janë të interesuar që ajo të jetë sa më e dëgjueshme.

opinion-444donik_651108424

“Ata e bëjnë këtë përkrahje selektive, sepse u intereson t’i dërgojnë disa procese përpara e që janë proceset e mbylljes së raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Është e natyrshme që kur bëhet fjalë për marrëveshjet e rëndësishme siç është fjala për ato në Bruksel ka përkrahje, sepse nuk besoj që vendorët do t’i qonin përpara këto procese të cilat janë të ndjeshme, e të cilat, së paku në shikim të parë, cenojnë interesin e Kosovës për hir të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë. Në këtë plan përkrahja e ndërkombëtarëve është e domosdoshme, sepse pa përkrahjen e tyre nuk do të kishte qeveri që do të shkonte në Bruksel dhe të bënte koncesione në dëm të Kosovës dhe sovranitetit të saj”, thotë Sallova.

Ana e keqe e kësaj përkrahje selektive, sipas Sallovës, është se lidershipi ynë shpeshherë në raport me faktorin ndërkombëtar di të jetë aq i dëgjueshëm sa kjo dëgjueshmëri është e barabartë me servilizëm. Ndërkaq, prania servilizmit e përjashton rezonimin e arsyeshëm.

Bie fjala në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Sallova merr shembull edhe zotimet e shpeshta të autoriteteve të EULEX-it se do t’i kapin “peshqit e mëdhenj”, premtime këto që nuk dhanë asnjëherë ndonjë rezultat. Sipas tij, ato dhanë vetëm një rezultat, por jo për popullin, por për EULEX-in dhe faktorin ndërkombëtar, arritën që me këtë premtim apo kërcënim t’i mbajnë të disiplinuar, të dëgjueshëm, madje edhe servilë, të gjithë ata udhëheqës të Kosovës që veten e shihnin si “peshq të mëdhenj”.

Analisti Blerim Burjani vlerëson se lidershipi kosovar e ka humbur përkrahjen ndërkombëtare me punën respektivisht mospunën e vet dhe një përkrahje të këtillë e ka vetëm në çështjet që lidhen me sigurinë rajonale dhe me përmbushjen e detyrave të drejtpërdrejta që ia ka në raport me Kosovën faktori ndërkombëtar.

Blerim Burjani

“Realisht po keqpërdoret në mënyrën më të vrazhdë buxheti i shtetit për interesa partiake dhe familjare dhe askujt prej tyre nuk iu intereson qytetari, ata iu interesojnë vetëm në kohën e zgjedhjeve. Nepotizmi është forma me vrazhdët e shfrytëzimit të qytetarëve, kurse kritikat janë edhe vendore edhe ndërkombëtare në drejtim të këtyre partive në pushtet prej vitit 2004 e deri më tash. Ky koalicion ka humbur përkrahjen ndërkombëtare dhe gëzon përkrahje vetëm në temat e sigurisë rajonale, kurse tjerat i kanë humbur kaherë. S’ka investime të huaja, s’ka MSA, s’ka liberalizim, asgjë.

Garniturat udhëheqëse të Kosovës paraqiten të dëgjueshme për tema politike rajonale dhe të sigurisë, kërkesa që i ka faktori ndërkombëtar. Si kundërshpërblim për këtë dëgjueshmëri faktori udhëheqës vendor e ‘blen biletën’ për të bërë pasuri në mënyrë të kundërligjshme, për të dërguar  familjarë nëpër borde e ambasada, për të themeluar biznese, për të mbajtur me partiak nën mbikëqyrje institucionet më të rëndësishme shtetërore, kulturore e arsimore deri te Universiteti i Prishtinës”, thekson Burjani për KosovaLive.

Ai thotë se organet e rendit dhe të hetuesisë janë të padenja për të hapur procese kundër qeveritarëve që keqpërdorin pushtetin, madje është dëshmuar se ato nuk janë të denja të hapin procedura edhe ndaj familjarëve të tyre. Pse këtë nuk e bën as EULEX-i, sipas Burjanit është çështje për analizë të veçantë.

“Ky model i qeverisjes partiake dhe shteti partiak është komprometuar tek qytetarët. Edhe për EULEX ka kritika të vazhdueshme, për skandale dhe shpenzime të parave të BE-së”, shton Berjani për KosovaLive.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje!, Rexhep Selimi, thotë për KosovaLive se vendorët në shumicën e rasteve kanë manipuluar me përkrahjen e ndërkombëtarëve deri në skajshmëri, duke thënë se këtë po e kërkojnë ndërkombëtarët edhe për çështjet që ndërkombëtarët fare nuk kanë pasur qëndrim.rexhep-selimi-e-futi-n-euml-kuvend-gazin-lotsjell-euml-s_hd

“Zyrtarë të ndryshëm të qeverive ose qeveritarë të Kosovës në shumicën e rasteve thirren në ndërkombëtarët edhe për çështje që ata as që kanë qëndrim. Pra manipulojnë me këtë përkrahje deri në skajshmëri. Bashkësia ndërkombëtare parimisht përkrah qeveritë e zgjedhura, kur rezultati i zgjedhjeve është i njohur nga KQZ-ja dhe bashkësia ndërkombëtare. Duhet të them se ka pasur raste kur përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare, të misioneve diplomatike, janë futur në lojëra dhe në matematika politike me zyrtarët vendorë. Ky fakt nuk i lë pa përgjegjësi edhe disa personalitete edhe ambasadorë të cilët janë futur me dashje dhe pa dashje në agjendat e qeverisë”, thekson Selimi.

Ai nënvizon se sa herë që faktori vendor manipulon me përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare bënë një gabim të madh duke dëmtuar kështu edhe imazhin e ndërkombëtarëve, edhe imazhin e vet, por edhe të qytetarëve.

“Bashkësia ndërkombëtare ka përfaqësuesit e vet në zyrat dhe në ambasadat diplomatike në Kosovë dhe secili qëndrim është qëndrim i tyre dhe për secilin qëndrim ata marrin përgjegjësi. Mbi të gjitha bashkësia ndërkombëtare ka rolin e vet të bazuar në rregullat, i cili nuk është i njëjtë me Qeverinë e Kosovës, e cila i ka rregullat e veta të cilat do të duhej t’i kryente pa ndikimin e bashkësisë ndërkombëtare”, shton deputeti Selimi për KosovaLive.

Leave a Reply

Your email address will not be published.