Lajmet e fundit

Bajrami: Ndërhyrjet në UP bëhen nga grupet e interesit

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami në një intervistë dhënë për “Zërin”, ka thënë se ndikimi politik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, nuk është problem për aq sa e lejon ligji.

Sipas tij, angazhimi i kuadrit akademik të Universitetit të Prishtinës në jetën institucionale dhe politike ka ndikuar në krijimin e epiteteve politike për UP-në.

Zëri: Z. Ministër, pse është shndërruar në një institucion politik Universiteti i Prishtinës? Kush mban përgjegjësi për këtë?

Bajrami : UP-ja që nga themelimi ka qenë e ndërlidhur me politikën, nga periudha komuniste, pastaj vitet e 90-ta, periudhën e krijimit të lëvizjeve për liri dhe pas luftës angazhimin për shtetësi. Gjatë veprimtarisë së saj, pa dyshim që bindjet e ndryshme ideologjike, politike, partiake kanë reflektuar edhe në jetën e Universitetit. Kam përshtypjen që angazhimi i kuadrit akademik të Universitetit të Prishtinës në jetën institucionale dhe politike ka ndikuar në krijimin e epiteteve politike për UP-në. Angazhimi i intelektualëve dhe profesorëve të Universitetit në jetën politike ka ndodhur edhe para periudhës së luftës, në fakt edhe para viteve të 90-ta, por në atë periudhë angazhimet ishin më tepër të karakterit kombëtar. Pas luftës u krijuan rrethana të reja, qëllimet shoqërore ishin tjera, jeta politike u bë më dinamike dhe së këndejmi ndaj këtyre zhvillimeve nuk ishte imun as Universiteti i Prishtinës.

Zëri: A ka vazhdimësi të ndikimit politik në UP?

Bajrami: Nuk është problem ndikimi politik në Universitet për aq sa e lejon ligji dhe në interes të zhvillimit të Universitetit. Politika, viteve të fundit ka përmirësuar thellësisht kushtet materiale të kuadrit akademik në Universitetin e Prishtinës. Po ashtu është mbështetur shumë përmirësimi dhe zgjerimi i infrastrukturës. Problem është ndërhyrja politike e kundërligjshme dhe fatkeqësisht në të kaluarën ka pasur raste të ndërhyrjeve të tilla. Sidoqoftë, nuk besoj që ka vazhdimësi të ndikimit politik në UP. Nuk ka grupe politike në Universitet, të paktën jo në kuptimin e menaxhimit. Konsideroj që ndikimet apo ndërhyrjet vijnë kryesisht nga grupet e interesit brenda Universitetit, që shpesh edhe mund të thirren edhe të manipulojnë me raportet politike, por interesat e tyre janë interesa të ngushta individuale apo grupore. Jam plotësisht i vetëdijshëm që një numër i madh i kuadrit akademik të UP-së vazhdon të jetë i përfshirë në jetën institucionale apo politike dhe ky fakt mund të ketë edhe implikimet si pozitive, ashtu edhe negative, por mbi të gjitha konsideroj që për të gjithë palët në Universitet dhe jashtë saj e kanë të qartë tashmë që interesi politik i Qeverisë është garantimi i autonomisë akademike dhe përmirësimi i cilësisë së mësimdhënies dhe shërbimeve në Universitet.

Leave a Reply

Your email address will not be published.