Kroacia miratoi të enjten ligjin që lejon shitjen dhe përdorimin e marijuanës dhe nënprodukteve të saj për qëllime mjekësore, duke u bërë i pari vend ballkanik që lëviz në këtë drejtim. Vendimi erdhi pas një fushate gati njëvjeçare të nisur kur një pacient me sklerozë të shumëfishtë u burgos vitin e shkuar pasi e kultivoi bimën për të lehtësuar dhimbjen. Sipas ligjit të ri, barnat që përmbajnë tetrahidrokanabinol (THC), përbërësi kryesor psikoaktiv i bimës, tani mund të jepen nga mjekët me recetë për të lehtësuar pasojat e sëmundjeve kronike si kanceri, skleroza e shumëfishtë, epilepsia dhe AIDS-i. Ligji parashikon që ilaçet mund të jepen për jo më shumë se 30 ditë dhe sasia e lejuar brenda kësaj kohe nuk duhet t’i kalojë 7.5 gramët.
Ndërkohë, përdorimi i marijuanës për qëllime të tjera mbetet i ndaluar nga ligji kroat. Më herët gjatë këtij viti, Ministria e Shëndetësisë në vend ngriti një komision ekspertësh për ta shqyrtuar çështjen. Në bazë të rekomandimeve të këtij komisioni dhe të një debati publik gjithëpërfshirës u hartua ligji. Ministri Sinisha Varga tha se marijuana mjekësore do të gjendet në farmaci brenda pak javësh, varësisht nga kërkesat e tregut. Aktualisht ajo ofrohet nga tetë firma farmaceutike. “Bazuar në informacionin që kemi nga farmacitë, një pjesë e mirë e tyre janë të interesuara të importojnë në Kroaci nënprodukte të kanabisit”, deklaroi ministri për “Yahoo News UK”. Deri më sot, vaji i kanabisit mund të gjendej në tregun e zi kroat me një çmim 300-600 euro për 10 gramë.
Hap i madh në Evropën konservatore
Ky vendim i Kroacisë cilësohet si një hap i madh përpara drejt përhapjes së politikave lehtësuese të përdorimit të marijuanës në kontinentin e vjetër. Ndërkohë që 23 shtete në SHBA e kanë legalizuar kanabisin mjekësor dhe katër të tjera plotësisht (Alaska, Kolorado, Oregoni dhe Uashingtoni), Evropa vazhdon të mbetet më kokëfortë. Sipas kreut të Agjencisë Monitoruese të Drogave të Bashkimit Evropian, Volfgang Gotz, ka pak gjasa që vendet e BE-së të ndjekin shembullin amerikan. “Në Evropë unë nuk di të ketë aktualisht ndonjë qeveri apo shumicë parlamentare që po e diskuton seriozisht legalizimin e kanabisit apo rregullimin në një mënyrë tjetër. Nuk shoh në horizont ndonjë diskutim të të njëjtit nivel sikurse në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, pati deklaruar Gotz në qershor nga Lisbona, ku e ka qendrën agjencia.
Zyrtari evropian citoi një raport të Qendrës Evropiane të Monitorimit të Drogave dhe Varësisë ndaj Drogave ku vihej re një rritje e numrit të urgjencave shëndetësore të lidhura me kanabisin mes viteve 2008-2012 në kontinent. Gjithsesi, përkundër këtij konservatorizmi, vitet e fundit vihet re njëfarë mbështetje për politikat lehtësuese të shitjes dhe përdorimit të kanabisit në vendet e Bashkimit Evropian. Kroacia u bë vendi i pestë i unionit që lëviz në këtë drejtim, pas Holandës, Spanjës, Portugalisë dhe Republikës Çeke. Ato shpesh tërheqin vizitorë nga vende të tjera – sidomos fqinje – ku masat kundër përdorimit të marijuanës janë të ashpra. Kanabisi mjekësor është i ligjshëm edhe në Izrael, ndërsa ka gjasa që së shpejti të dekriminalizohet edhe përdorimi i tij për qëllime rekreative. Në Gjermani lejohet që pacientët e sëmurë rëndë të kultivojnë apo blejnë kanabis, por vetëm me një leje të posaçme.
Përdorimi në Evropë
Shkalla e lejimit të përdorimit të kanabisit në Evropë ndryshon nga një vend në tjetrin. Në Holandë, për shembull, prej kohësh është e ligjshme të mbash deri në pesë gramë për përdorim publik dhe kanabisi mund të shitet vetëm në të ashtuquajturat “kafene”. Spanja ka legalizuar përdorimin e marijuanës vetëm në hapësira private/të mbyllura, ndërsa konsumi publik mbetet i ndaluar (edhe pse nuk cilësohet si vepër kriminale). Portugalia e ka dekriminalizuar marijuanën qysh në vitin 2001, por teknikisht mbetet ende një substancë e ndaluar. Në Republikën Çeke lejohet të mbash deri në dhjetë gramë kanabis si dhe blerja e jo më shumë se dhjetë gramëve për arsye shëndetësore. Marijuana rekreacionale mbetet e paligjshme.