Një muaj e gjysmë pas fillimit të vitit të ri shkollor 2015/2016 dhe 2 javë pas nisjes së vitit të ri akademik, sistemi arsimor po ballafaqohet me problemet e vjetra, tanimë kronike, mungesën e cilësisë dhe joefikasitetit.
Për opinionin e gjerë tani është krijuar një traditë negative që shumë shkolla të mos fillojnë mësimin me kohë. Mësimdhënësit e dinë se ditët e humbura të mësimit asnjëherë nuk mund të kompensohen. Kur kësaj i shtohet edhe zhvillimi i mësimit në tri turne në shumë komuna të Kosovës, në rrethana të tilla, nuk mund të bëhet fjalë për cilësi por për mbijetesë të arsimit,7 vjet pas shpalljes së pavarësisë së vendit.
Edhe ky vit shkollor ka filluar pa krijimin e kushteve për përfshirjen e fëmijëve në arsimin parafillor, që është i detyruar me ligj, rasti i komunës së Fushë Kosovës është më eklatant por edhe në komunat tjera nuk ka ndonjë përmirësim të gjendjes në këtë sektor.
Mospërfshirja e grupeve të margjinalizuara në arsimin e detyruar ka arritur shifrën 95% që do të ketë impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e shkallës së analfabetizmit.
Problemet me infrastrukturën shkollore, objektet e papërfunduara me vite, si gjimnazi “Aleksandër Xhuvani” në Podujevë, apo të përuruara pa plotësuar standardet elementare të ndërtimit, si objekti i gjimnazit “Eqrem Çabej” në Prishtinë, mungesa teksteve shkollore, kabineteve, laboratorëve e tj janë evidentuar edhe në këtë vit shkollor.
Eksperimentet me zbatimin e Kornizës së Re të Kurrikulës po vazhdojnë, kurse vërejtjet e mësimdhënësve për mënyrën e pilotimit të saj nuk po merren parasysh.
Rrjeti i shkollave profesional ka mbetur i pandryshuar, një rrjetë i fragmentuar, në s’përputhje me nevojat e tregut ë punës.
Po vazhdon shkelja flagrante e të drejtave të mësimdhënësve në të gjitha nivelet e arsimit, duke e injoruar institucionin e konkursit dhe duke akomoduar militantët partiak të koalicionit në pushtet.
Qeveria e Kosovës, me nënshkrimin e dokumentit për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, përfundimisht ka hequr dorë nga procesi i unifikimit të sistemit arsimor.
Po vazhdon ndërhyrja e Qeverisë në mekanizmat e pavarur të arsimit dhe nuk po respektohet organogrami i aprovuar nga MASHT.
Si ilustrim mjafton të përmendet fusha e vlerësimit, që paraqet pikën më të dobët të sistemit arsimor. Mungesa e vullnetit politik për formimin e Qendrës Nacionale për Vlerësimin e Jashtëm e konfirmon këtë.
Si përfundim AAK nuk heq dorë nga realizimi i idesë për themelimin e një forumi
arsimor gjithëpërfshirës të institucioneve dhe organizatave të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, për të siguruar se Kosova do të marrë vendime të qëlluara politike afatgjate, për të garantuar një sistem arsimor efektiv.
Viti i ri akademik ka filluar me shumë probleme të trashëguara. Në vend që organet qeverisëse dhe ato akademike të mobilizohen për tejkalimin e tyre ka ndodhë e kundërta:
1. Është thelluar kriza në mes të Senatit dhe Rektoratit në universitetin më të madh publik
të vendit, Universitetin “Hasan Prishtina”.
Në vend që të kemi harmonizim në mes të organeve qeverisëse dhe ligjvënëse të UP-së gjithnjë e më tepër po manifestohet tendenca për divergjenca në mes tyre për nevoja personale të klaneve brenda UP-së.
Këshilli Drejtues i UP-së nuk është takuar me muaj të tërë, kurse Statuti i UP- së nuk respektohet në vazhdimësi.
2. Procesi i rishikimit të licencimit dhe akreditimit të institucioneve publike dhe private të
arsimit të lartë nuk ka filluar.
Nga viti 2008, rregullisht kemi tërhequr vërejtjen për numrin e madh të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë, krahasuar me kapacitetet akademike që ka Kosova.
Na gëzon fakti që të njëjtën bindje me ne e ndajnë edhe shumë ekspert të huaj, në mesin e tyre edhe ambasadorja gjermane Angelika Viets, e cila me 17 shtator 2015 e ka bërë të qartë qëndrimin se “Kosova duhet të ndërtojë një strategji të arsimit në përgjithësi që është e përshtatshme për mjedisin social dhe ekonomik, veçanërisht në fushën e arsimit të lartë, ku duhet të ofrohen studime cilësore e jo thjeshtë diploma”.
Ballafaqimi me dukurinë e licencimit dhe akreditimit të këtyre institucioneve pa plotësuar standardet minimale të cilësisë është domosdoshmëri.
Nuk ka as një ndërmarrje serioze të MASHT-it në këtë segment.
Ngritja e aktakuzave ndaj bartësve kryesor të përgjegjësive në Agjencionin e Akreditimit të Kosovës ka konfirmuar keqpërdorimet në këtë fushë.
3. Mungon sigurimi i mekanizmave efikas për inspektimin e institucioneve të arsimit lartë.
Nuk garantohet kurrfarë cilësie në arsimin e lartë duke akredituar programe të importuara nga jashtë, pa inspektimin e mënyrës së zbatimit të tyre.
4. Vazhdon procesi i abuzimit me grada akademike jashtë kritereve të parapara me Statut.
Shumë udhëheqës të njësive akademike në vend që të angazhohen seriozisht për bllokimin e këtij procesi e ndihmojnë atë.
5. Përkundër disa rezultateve inkurajuese po vazhdon zhvatja e buxhetit të vendit nga disa
mësimdhënës duke përvetësuar dy e më shumë paga të rregullta në disa universitete. Qeveritarët tanë, në vend që të jenë shembull i zbatimit të ligjit, janë shndërruar në shkelës të rregullt të tij, duke thyer çdo normë pozitive ligjore dhe etike.
6. Nuk është krijuar një mekanizëm efikas për rekrutimin dhe aftësimin e vazhdueshëm të
mësimdhënësve.
Në arsimin e lartë, duke iu falënderuar ekzpansonit të tij për qëllime zgjedhore, janë infiltruar individë pa përgatitje adekuate akademike dhe etike. Sigurimi i një mekanizmi të tillë do të mundësonte krijimin e kushteve elementare për një mësimdhënie efikase.