Lajmet e fundit

Mustafa: UP duhet ta ruajë stabilitetin dhe të thellojë reformat

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se Universiteti i Prishtinës ”Hasan Prishtina” duhet të ruajë stabilitetin e vet institucional, të thellojë reformat, të shkëputet nga tendencat për ndikim politik dhe të bëhet një universitet që prodhon kuadro cilësorë, të aftë për nevojat e tregut bashkëkohor.
“Qeveria që unë drejtoj, në programin e vet e ka të përcaktuar qartë qasjen ndaj arsimit të lartë. UP-në ne trajtojmë si Universitet publik, i cili duhet të shkëputet nga tendencat për ndikim politik, ndërsa mbetet detyrë e organeve drejtuese të Universitetit, Senatit, Këshillit Drejtues dhe Rektorit të angazhohen për thellimin e reformave”, ka thënë Mustafa, duke shtuar se si rezultat i angazhimeve serioze dhe menaxhimit të mirë, UP është afër anëtarësimit në Sietemin e Bolonjës.

Këto komente, kryeministri kosovar i ka bërë vetëm një ditë përpara se Këshilli Drejtues i UP-së të shqyrtojë kërkesën e disa anëtarëve të Senatit të këtij universiteti për shkarkimin e rektorit Ramadan Zejnullahu.

“Qeveria e vlerëson lart rolin që Universiteti Prishtinës e ka dhënë në të gjitha fazat e zhvillimit dhe ndërtimit të Kosovës. UP është qendër e dijes dhe progresit dhe si të tillë duhet ta kultivojmë tani dhe në të ardhmen. Dera e Universitetit është portë e shenjtë për të gjithë ne, ajo duhet të respektohet, ashtu siç e respektojmë derën e shtëpisë sonë”, tha Mustafa për Telegrafin.

Ai tha se Qeveria respekton plotësisht pavarësinë e Universitetit, por po ashtu është kundër ndërhyrjeve politike dhe interesave grupore, të cilat mund ta dëmtojnë këtë institucion publik të arsimit të lartë.

“Gjatë javës që po lëmë pas, bashkë me ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, jam takuar me udhëheqjen e Universitetit të Prishtinës. Ata e kanë mbështetjen e plotë të qeverisë që unë drejtoj për të zbatuar me përpikmëri Statutin e UP-së dhe Ligjin për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës”, ka thënë Mustafa.

Sipas tij, UP, si institucioni më i madh dhe më prestigjioz i arsimit të lartë në Kosovë, e ka mbështetjen e qeverisë për përmbushjen e misionit të vet, duke kryer detyrat e veta me përgjegjësi, konform Statutit dhe Ligjit në fuqi për Arsimin e Lartë, në ofrimin e një mësimdhënie të cilësisë sa më të mirë dhe duke vlerësuar me përgjegjësi kontributin e kuadrit të saj akademik.

Kryeministri Mustafa ka theksuar se është e rëndësishme ruajtja e stabilitetit institucional dhe lirisë akademike, ndërkohë që duhet të ketë edhe trajtim me përgjegjësi të interesave të studentëve të Universitetit të Prishtinës në të mirë të rritjes së cilësisë dhe konkurrencës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.