Në një intervistë radiofonike për italianen Radio “DeeJay” Tranjeri i kombëtares Gianni De Biasi ka deklaruar se ai është njëri ndër tranjerët më pak të paguar të kombëtareve që janë kualifikuar për në Euro 2016.
Trajneri ka pranuar se në bashkëbisedimin e parë që kishte bërë me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, pas kualifikimit, një nga batutat ishte edhe “ka ardhur koha që të paguash”, duke iu referuar një rritje rroge të mundshme.
“Ishte thjesht një batutë, ndonëse e di se ka një kontribut të rëndësishëm financiar nga UEFA për skuadrat që marrin pjesë në fazën finale të Kampionatit Europian. Unë mendoj se jam mes trajnerëve më pak të paguar të kombëtareve të kualifikuara. Sa paguhem? Më mirë të mos e them se pastaj nuk shkon më askush te Shqipëria. Por kënaqësia e kualifikimit të Shqipërisë nuk ka çmim, janë situata që të lënë pa fjalë, të mbushin me krenari dhe dinjitet, të cilat janë gjërat më të rëndësishme në jetë”, -tha De Biazi në këtë intervistë të dhënë gazetarëve të njohur Ivan Zazaroni dhe Fabio Karesa.
Pas pyetjeve të gazetarëve se cfarë do të bënte De Biasi pas eksperiencës në Euro 2016, nëse do të vazhdonte apo jo të ishte pjesë e kombëtare Kuq e Zi, De Biasi i është përgjigjur
“Do të ndalem për momentin të shoh se çfarë mund të bëj. Duhet të flas më parë me Federatën, për të kuptuar nëse duan që të vazhdojnë me mua apo të ndjekin rrugë të tjera. Meqë kemi një marrëdhënie të mirë mes nesh, nuk do të ketë probleme nga kjo pikëpamje”, theksoi ai.
Sido që të shkojnë bisedimet mes De Biazit dhe FSHF-së, trajneri është shumë i lumtur me këtë eksperiencë që ka bërë në Shqipëri, duke e kthyer kombëtaren në një emër të njohur në arenën ndërkombëtare dhe duke i shërbyer edhe ai kauzës së afrimit drejt Europës të vendit tonë.
“Mendoj se Shqipëria po i afrohet gjithnjë e më shumë Europës, me dëshirë dhe entuziazëm. Është një popull shumë i ri, që ka entuziazmin e të rinjve dhe që kërkon nëpërmjet studimeve, apo edhe nëpërmjet këtij shembulli që dhanë lojtarët e mi, që të bëjnë të mundur të pamundurën. Ky është një mesazh i rëndësishëm sidomos për më të rinjtë”, theksoi De Biazi në këtë intervistë për radion e njohur italiane.