Z. Tahiri po ashtu paraqiti rëndësinë që ka sektori i shëndetësisë për Aleancën për Prishtinën. Tahiri në hapje theksoi që përmes këtij Programi do të angazhohet në dy drejtime: së pari në adresimin e problemeve aktuale; dhe së dyti, në zgjidhjen e problemeve të trashëguara si dhe parandalimin e shfaqjes së tyre në të ardhmen.
Kandidati Tahiri theksoi se programi “Kontrata për Ndryshim” në mandatin qeverisës me Prishtinës ka për qellim të zhvilloj rrjet të tillë të shërbimeve shëndetësore i cili do të bëjë që çdo qytetar i kryeqytetit të ndihet i sigurt kudo që ai ndodhet – në qendër të Prishtinës dhe në pjesën më periferike të saj, në qytet dhe në fshatin më të largët të saj, në shtëpi, në shkollë, në punë, në rrugë. Përmes aksioneve të hulumtimit aktiv për sëmundjet në mënyrë të vazhdueshme do ti trokasim në derë secilit qytetarë dhe do ta pyesim për gjendjen e tij shëndetësore. Duke ndërtuar kështu një sistem të saktë të evidentimit për kujdes të vazhdueshëm. Dhe jo vetëm kaq programi “Kontrata për Ndryshim” parasheh, që shërbimet shëndetësore që i ofrohen qytetarit të jenë të cilësisë më të lartë.
Që ta bëjmë këtë të mundshme do të riorganizojmë institucionet shëndetësore ekzistuese dhe do të ndërtojmë kapacitete të reja. Do ti bëjmë ato me infrastrukturë dhe aparaturë moderne. Do të reformojmë sistemin e kujdesit në shtëpi, shërbimin e emergjencës. Do ta ri-konsolidojmë shërbimin shëndetësor në institucionet shkollore dhe të grupeve vulnerabile. Do të vendosim në qendër të kujdesit qytetarin dhe shëndetin e tij, por nuk do të harrojmë as punëtorin shëndetësor. Atij do ti krijojmë kushte të tilla për punë dhe mundësi për gjenerim të ardhurave që do ta bëjnë të gëzojë dinjitet të plotë personal dhe profesional. Programi ynë është i bazuar në financim real. Ne jemi të sigurt se implementimi i tij është i mundshëm në secilën pike të tij. Buxheti komunal për shëndetësi do të planifikohet në kohë duke përmbushur nevojat e zbatimit të planit, partneriteti me sektorin privat, kontratat me kompanitë e sigurimeve dhe kërkimi aktiv i donacioneve janë garanci se programi ynë do te realizohet.
Programi që ne po paraqesim sot do të vazhdojë të jetë në konsultime të gjëra me qytetarët, institucionet shëndetësore dhe mekanizma tjerë institucional që kanë të bëjnë me këtë fushë. Programi i Aleancës për Prishtinën nuk është vetëm konstatim i gjendjes problematike të qeverisjeve paraprake dhe asaj aktuale me Komunën e Prishtinës, porse është Program që pasqyron vizionin e arritshëm për ndryshim, nëpërmes realizimit të të cilit qytetarët e Prishtinës do të jetojnë në mirëqenie më të madhe si rezultat i qeverisjes së mirë dhe efikase.