Lajmet e fundit
Kosova dhe Shqipëria, në BE pas 2023-ës?

Kosova dhe Shqipëria, në BE pas 2023-ës?

Në Bruksel mendohet për skenarin e zgjerimit të ardhshëm të Bashkimit Evropian që të ndahet në dy pjesë.

Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia do të hynin në BE në vitin 2020, ndërsa Shqipëria, Bosnja e Hercegovina dhe Kosova në vitin 2023. Këtë informacion, duke iu referuar “burimeve të larta të BE-së”, sot e publikoi gazeta ditore kroate “Dalmacia e lirë”, ndërsa fuqimisht jehoi në BE. Sipas kësaj gazete, edhe pse paraprakisht ka ekzistuar rrezik që procesi i zgjerimit tërësisht të ndërpritet, pas raporteve të fundit të progresit të Komisionit Evropian për vendet-kandidate dhe kandidate potenciale, ky proces, sa i përket Ballkanit, përsëri po merr frymë me gjoksin plot.

“Më larg drejt anëtarësimit në BE ka shkuar Mali i Zi, i cili tani po negocion. Serbia mund ta arrijë nëse i zgjidh të gjitha çështjet me Kosovën, ndërsa Maqedonia ka problem me Greqinë dhe për këtë shkak ky shtet, edhe pse për një kohë të gjatë e ka statusin e vendit kandidat, nuk mund t’i hapë negociatat”, theksohet në tekstin e “Dalmacisë së Lirë”. Sa i përket Shqipërisë, BeH dhe Kosovës, gazeta kroate potencoi se këto tri vende do t’i ndjekin vendet paraprake që bashkërisht do të hynin në BE në vitin 2020 dhe me angazhime të fuqishme dhe reforma, pas tre vjetësh, gjegjësisht në vitin 2023 dhe ato do të bëheshin pjesë e “shoqërisë së madhe evropiane”.

Me këtë, sipas “Dalmacisë së lirë”, do të përfundonte procesi i zgjerimit të Ballkanit në BE, që është pjesë e agjendës së Selanikut nga viti 2013. Të ballafaquar me provokimet e fundit të Serbisë ndaj Maqedonisë (me mosnjohjen e Kishës dhe transparentët e tifozëve në ndeshjen e futbollit), në BE janë të vetëdijshëm se ky vend do të ishte bllokues i ri i Maqedonisë nëse para vendit tonë bëhet pjesë e BE-së, prandaj nuk dëshirojnë të përsëritet skenari greko-bullgar me keqpërdorimin e procesit të zgjerimit për bllokimin e Maqedonisë me qëllim të zgjidhjes së çështjes bilaterale

Leave a Reply

Your email address will not be published.