Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ne bashkëpunim me Zyrën e Bashkimit Evropian ne Kosovë organizojnë konferencën hapëse të fazës se fundit të projektit Kontrolli dhe/apo Çrrënjosja e Sëmundjeve të Kafshëve ne Kosovë, ku do të fillojë raundi i fundit i shpërndarjes se vaksinave nga ajri.
Hapjen e konferencës do ta bëjnë dr. Valdet Gjinovci, kryeshef ekzekutiv i AUV-së, dhe Libor Chlad, zëvendës-shef bashkëpunimi, nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.
Sipas njoftimit nga AUV, në konferencë do të prezantohen të arriturat e projektit në ngritjen e nivelit të shëndetit të kafshëve në Kosovë, gjatë periudhës kohore të implementimit të projektit, si dhe përfitimet e autoritetit të Kosovës ne ngritje të kapaciteteve profesionale në fushën e shëndetit të kafshëve, me theks të veçantë në luftimin e sëmundjeve infektive.
Konferenca do të mbahet në hotelin ‘’Galla’’ ne Aeroportin e Prishtinës në Sllatinë, me fillim në ora 11:00.