Sot nga ora 10:00 janë mbledhur dy organet kryesore të Universitetit të Prishtinës, Këshilli Drejtues dhe Seanti, për të diskutuar për situatën e krijuar në universitetin më të madh publik në vend. Kështu i kanë thënë Gazetës Blic burime brenda Rektoratit. Sipas këtyre burimeve në këtë takim po dëgjohen edhe argumentet e senatorëve se përse duhet shkarkuar rektori Ramadan Zejnullahu.
“Mbledhja ka filluar në ora 10. Anëtarët e Këshillit Drejtues po dëgjojnë argumentët e senatorëve se përse duhet shkarkuar rektori Ramadan Zejnullahu”, ka thënë ky burim për Gazetën Blic.
Sipas këtij burimi, në këtë mbledhje po merr pjesë edhe rektori Ramadan Zejnullahu.
Para disa javësh Senati i UP-së i ka mbledhur nënshkrimet për shkarkimin e rektorit, me arsyetimin se ky i fundit po e bllokon punën në universitet.
Ndërkohë, gjatë javës së kaluar Këshilli Drejtues e futi si pikë të rendit të ditës këtë kërkesë të Senatit, mirëpo mbledhja u shty për tjetër ditë pa marrë asnjë vendim tjetër. U paralajmërua që sot do të vazhdohet me këtë mbledhje, por që Këshilli Drejtues duket se ka parë më të udhës që të dëgjoj argumentet e të dyja palëve para se të marrë vendim për shkarkimin apo jo të rektorit.
Gjatë ditës së djeshme, kryeministri i vendit, Isa Mustafa i ka dhënë mbështetje rektorit, duke theksuar se menaxhmenti ka bërë një punë të mirë.
Sidoqoftë, Gazeta Blic ka marrë vesh nga burime brenda UP-së se në KD pesë anëtarë janë për shkarkimin e rektorit, derisa pjesa tjetër që vjen nga MASHT-i, është kundër. Për shkarkimin e rektorit nevojiten votat e 2/3 të anëtarëve të KD-së./ Gazeta Blic