Lajmet e fundit

Referendumi më i nevojshëm se kurrë për zgjidhjen e krizës politike

Kohëve të fundit janë shtuar zërat se organizimi i referendumit do të ishte zgjidhje e krizës politike. Aktualisht pozita dhe opozita janë barrikaduar në qëndrimet e tyre. Derisa opozita po kërkon që kryeministri Isa Mustafa t’i heq nënshkrimin për marrëveshjet për Asociacionin dhe demarkacionin, Mustafa po këmbëngul se ato nuk do të kthehen mbrapa. Megjithatë, Kosova ende nuk e ka ligjin me të cilin do të organizohej referendumi, pavarësisht se një gjë e tillë parashihet me Kushtetutën e Kosovës.

Opozita thotë se sot me shumë se kurrë është i nevojshëm referendumi në mënyrë që t’u mundësohej qytetarëve që të deklaroheshin. Derisa, deputetë të pozitës thonë se situata aktuale është politike dhe jo domosdoshmërisht do duhej të organizohej referendumi.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi thotë për KosovaPress, se ata si organizatë politike e kanë të rrënjosur në programin e tyre politik të drejtën e qytetarëve për referendum. Sipas tij, kjo e drejt po iu mohohet qytetarëve të Kosovës duke mos e hartuar ligjin për referendumin, për çka Selimi thotë se nuk është e rastësishme por është e qëllimshme.

Selimi thekson se pikërisht krizën aktuale do ta zgjidhte referendumi, pasi qytetarët do ta thoshin fjalën e vet.

Selimi: Kriza aktuale e vë në pah nevojën për referendum

“Nevoja për referendum vije tashmë më shumë se kurrë edhe e argumenton qëndrimin tonë, pra përmblidhet edhe qëndrimi ynë edhe veprimtaria jonë, mbi të gjitha përmblidhet nevoja e qytetarëve për t’u deklaruar. Deri me tani qytetarët nuk janë pyetur asnjëherë, as për kushtetutën e vet, as për flamurin e vet, as për formën e organizimit të vet, pra nuk do duhej ta prisnin një situatë të tillë që t’i bie dikujt ndërmend se referendumi qenka zgjidhje. Referendumi normalisht që është zgjidhje, jo vetëm për këtë çështje, por t gjitha çështjet bazike dhe të gjitha çështjet që duhet pyetur qytetari i Kosovës”, tha Selimi.

Selimi nuk pret ndonjë iniciativë nga Qeveria për hartimin e ligjit për referendum, sepse ai vlerëson se ekzekutivi i frikësohet vendimit dhe zërit të qytetarëve.

Se Kosova duhet të ketë ligjin për organizimin e referendumit, pajtohet edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, sipas të cilit ka pasur tentativa të çdo legjislature për hartimin e ligjit por kanë mbetur vetëm në fjalë.

Zemaj nuk e sheh referendumin si zgjidhje të kësaj krize politike, madje nuk dëshiron ta lidh situatën aktuale me mundësinë e organizmit të referendumit, po të ishte ligji i miratuar.

Zemaj: Referendumin s’do ta kisha lidhur me situatën aktuale

“Jo rrallë herë është debatuar, ka pasur kërkesa por mbi të gjitha është edhe obligim që ta kemi një ligj të tillë dhe Kosova çdo herë kur paraqitet nevoja që qytetarëve të vendit në mënyrë masive apo kolektive të pyetet për çështje të caktuara t’i nënshtrohen edhe referendumit…Situata mund të ketë të ndryshme, nuk do ta kisha lidhur me situatën aktuale politike, por në çdo rast kur shumica vlerëson se duhet t’i nënshtrohet një vullneti politik atëherë me së miri ta kishim një ligj të tillë. Ndërsa situata të tilla janë politike, janë mbi të gjitha, politikë mund të jetë opozitare dhe selektive dhe jo çdo herë kërkohet që këto interesa të përfaqësohen në mënyrë plebishitare”, tha Zemaj.

Mos hartimin e ligjit për referendumin, Fidan Kalaja nga Lëvizja Fol, fajtore janë qeveritë e kaluar dhe ajo e tanishme, pasi frikohen nga një mori problemesh me të cilat ballafaqohen qytetarët, të cilët do t’i ndëshkonin politikanët në rast të organizimit të referendumit.

Kalaja: Qeveria i frikësohet referendumit

“Në fakt partitë e mëdha nuk i frikësohen hiq ligjit për referendum sa i përket marrëveshjeve në Bruksel, pra kjo nuk është arsyeja pse ata frikësohen. Janë miliona arsye tjera pse ata frikësohen ta hartojnë ligjin për referendum. Arsye janë problemet ditore të qytetarëve të Kosovës e të cilët do ta për dornin si mjet referendumin për të zgjidhur shumë probleme, kjo është arsyeja. Sepse partitë në koalicion nuk janë të interesuara ta hartojnë ligjin për referendum, sepse ai ka pasoja ekzekutive sepse detyron Qeverinë që të zbatoj rezultatet e referendumit”, tha Kalaja.

Neni 2i Kushtetutës së Kosovës, i cili flet për sovranitetin, thotë se sovraniteti i Republikës së Kosovës buron nga populli, i takon popullit dhe ushtrohet, në pajtim me Kushtetutën, nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, me referendum, si dhe në forma të tjera, në pajtim me dispozitat e kësaj Kushtetute.

Derisa, Neni 65 i cili flet për kompetencat e Kuvendit, në pikën 3, thotë se Kuvendi shpall referendum, në pajtim me ligjin. Ndërsa, Neni 139e obligon Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për organizimin, mbikëqyrjen dhe shpalljen e rezultateve të referendumit. /B. Syla/

Leave a Reply

Your email address will not be published.