Edhe pse rruga Kombit, Durrës-Kukës është në prag të dhënies me koncesion kundrejt një tarife pa TVSH jo më pak se 5 euro për automjet, Ministria e Ekonomisë programon të investojë gjatë dy viteve në vijim të paktën edhe 21 milionë dollarë.
Sipas dokumentit zyrtar të investimeve në Ministrisë e Ekonomisë në katër lote të rrugës janë programuar investime për 2015-2017 mbi 2.3 miliardë lekë, ku pjesa më e madhe e investimit është parashikuar të realizohet gatë viteve 2016-2017, raporton Monitor.al.
Mirëpo programi i qeverisë për investime në këtë aks ngjan paradoksal, pasi Ministri i Transporteve ka lajmëruar se, do të firmosë kontratën e koncesionit për këtë rrugë, gjatë këtij muaji.
Me firmosjen e kontratës të gjitha detyrimet për investime obligohet t’i marrë koncesionari i ri.
Objektivi kryesor i këtij koncesioni/PPP për punë dhe shërbime është përmirësimi i autostradës, funksionimi dhe mirëmbajtja efektive e saj. Koncesionari i ardhshëm do të ndërtojë, përmirësojë, operojë dhe mirëmbajë autostradën në bazë të një sërë standardesh të paracaktuara të performancës gjatë koncesionit/PPP 30 vjeçar.
Sipas kushteve të garës, koncesionari i ardhshëm do të mbledhë dhe do të mbajë të ardhurat nga taksa dhe në këmbim do të ketë përgjegjësinë për të zbatuar dhe financuar përmirësimet e autostradës. Gjithashtu detyrohet të ndërtojë një urë të re mbi lumin Drin në Kukës dhe të zbatojë punimet më urgjente gjeoteknike të stabilizimit.
Përgjegjësitë e koncesionit shtrihen nga Miloti, rreth 60 km në veri lindje të portit të Durrësit në detin Adriatik, deri në Morinë, në kufirin me Kosovën, sipas Monitor.al.