Lëvizja Vetëvendosje dje njoftoi se dy aktivistë të saj që ishin thirrur në polici pas sulmit ndaj kryeministrit Isa Mustafa dhe dhunës të shkaktuar pas ndalimit të Albin Kurtit, ishin maltretuar fizikisht.
Bile kjo lëvizje në komunikatën e saj e përmendte edhe komandantin e stacionit qendër të policisë në kryeqytet për maltretimin e tyre.
Më pas Policia e Kosovës përmes një njoftimi tha se do të niste hetimet lidhur me këto pretendime.
E vetëm pak pas njoftimit të Vetëvendosjes, deputetja e këtij subjekti politik, Albulena Haxhiu përmes llogarisë së saj në Facebook bëri thirrje publike për linçim dhe sulm ndaj Driton Imerit, komandantit të stacionit qendër.
“Komandanti i Policise, Driton Imeri, paska rrahur brutalisht aktivistet e arrestuar! Le ta mbajme ne mend kete emer!”, kishte shkruar Haxhiu në Facebook.
Por sa është demokratike dhe e lejueshme që deputete e zgjedhur të popullit të bëjë thirrje të tilla ndaj një zyrtari policor. Kjo konsiderohet skandaloze dhe e paprecedent.
Nëse ka diçka që ka shkuar keq, atëherë janë organet policor, si Inspektorati Policor, që e përcaktojnë këtë, por jo të bëhet thirrje publike për linçim.
Shtrohet pyetja se a është kjo polici për të cilën Haxhiu po bën thirrje që të sulmohet ajo e cila më herët konsiderohej heroike pas ndërhyrjes në veri.
A është po e njëjta polici që në Gazimestan i “ia la cullak” të gjithë ata serbë që mbanin fanella dhe simbole çetnike serbe?
A është kjo polici që të gjithë kanë respekt, e që tash po u dashka të sulmohet e linçohet publikisht?
A janë këta polic të Kosovës, apo kanë ardhur këtu nga një shtet armiqësor?
A janë këta polic baballarët, vëllezërit, motrat tona? Dhe a duhet që ne ta marrim ligjin në dorë dhe familjarët tonë t’i godasim në format më të ulëta, deri në marrje jete?