Kosova tashmë ka hyrë në agjendë dhe është në prag të anëtarësimit në Organizatën për Edukim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO).
Edhe pse autoritet e Serbisë kanë konfirmuar se janë duke bërë betejë të ashpër për të penguar anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, AAK është optimiste se në këtë synim Kosova, me përkrahjen edhe të partnerëve të saj ndërkombëtarë, do ta realizojë të drejtën e anëtarësimit.
“Anëtarësimi në UNESCO është domosdoshmëri që vendi ynë të ketë mundësi të barabarta dhe të mos mbetet i izoluar. UNESCO mbulon mbi 70 programe të ndryshme, përveç që merret me çështjen e reformave, standardizimit dhe shkëmbimeve të programeve arsimore, përfitimet e Kosovës janë edhe në shkencë, kulturë dhe trashëgimi kulturore, fusha këto në të cilat Kosova do të mund të merrte pjesë”, thuhet në komunikatën për media të AAK-së.
“Edhe pse Serbia nuk e ka të drejtën e vetos në këtë proces, është për të ardhur keq nga qasja e autoriteteve serbe për gjoja humbjen e Trashëgimisë Kulturore në Kosovë dhe tjetërsimin e saj, përderisa Trashëgimia Kulturore e Kosovës është kategori kushtetuese, dhe se Kosova ka arritur të krijojë infrastrukturë ligjore të standardeve ndërkombëtare. Sipas Ligjit për Trashëgimi Kulturore objekt i këtij ligji janë vlerat e Trashëgimisë Kulturore, të krijuara gjatë shekujve, dhe vlera historike e kulturore e kësaj Trashëgimie është thesar i tërë popullit të Kosovës”, theksohet më tej në këtë komunikatë mbështetëse për anëtarësim të Kosovës në UNESCO nga AAK.
AAK thotë se Kosova ka vlera të panumërta që mund t’i ofrojë komunitetit ndërkombëtar.
Kjo parti fton qytetarët e Kosovës që të nënshkruajnë peticionin për pranimin e Kosovës në UNESCO në linkun e mëposhtëm, “në mënyrë që zëri ynë të jetë më i fuqishëm se zëri i kundërshtarëve të këtij procesi”.
Nënshkruaj peticionin Kosova në UNESCO