Ka filluar mbledhja e Këshillit Drejtues të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” me një vendim gjysmë në favor të transparencës e gjysmë në dëm të saj.
Me një votim në fillim të mbledhjes, anëtarët e Këshillit vendosën që t’i lejojnë gazetarët në mbledhje, por pa praninë e kamerave.
Që në fillim, kryesuesja e Këshillit Drejtues, Shefkije Islamaj, tha se kërkesa e senatorëve për shkarkimin e rektorit Ramadan Zejnullahu është pika e vetme e rendit të ditës.
“Do të doja që një mbledhje e tillë të ishte sa më e rrallë në jetën e Universitetit”, tha Islamaj.
Në mbledhje është i pranishëm edhe vetë rektori Zejnullahu.
Anëtari i Këshillit Drejtues, Ismet Salihu, i caktuar në këtë detyrë nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) tha se qëndrimi i kësaj ministrie është që të mos shkarkohet rektori.
“Qëndrimi i MAShT është që mos të shkohet në shkarkimin e rektorit për shkak se do të ketë refleksione negative brena Prishtinës dhe në bashkësinë ndërkombëtare. Ne për 9 orë dëgjuam diskutimet e Senatit. Ka mangësi e dobësi por nuk ka abuzime”, tha Salihu.
Ai tha se votimi për fatin e Rektorit do të jetë i fshehtë, por tha se vetë do të votojë kundër propozimit për shkarkim.
“Me shkarkimin e rektorit nuk do të zgjidhen problemet, por do të thellohen”, tha Salihu.
Ndërsa Zeqir Veselaj, anëtar i Këshillit Drejtues, ka kërkuar që rektori Zejnullahu të mos qëndrojë në mbledhje duke thënë se kjo paraqet konflikt interesi.
Me pesë vota në favor të këtij propozimi, rektori u largua nga mbledhja.
“Më vjen shumë keq prej Këshillit Drejtues që është i obliguar në bazën e shkresës së senatorëve që të merren me shkarkimin e rektorit, kur ne po bëjmë punë që ta shkarkojmë këtë univeristet nga problemet që ka.
“Plotësisht jam i qetë dhe desha t’ju lus, t’i jepni zgjidhje Universitetit të Prishtinës, e jo rektorit”, tha rektori Zejnullahu.