Grabovci i PDK-së në Rubikon të KTV-së ka thënë se deputetët e partisë së tij janë shumë të interesuar që me opozitën të kenë debat, prandaj ka ardhur edhe të debatojë më opozitën për hir të qytetarëve. Sipas tij, marrëveshjet i tejkalojnë interesat e partive politike dhe janë interesa shtetërore.
Grabovci mendon se zgjidhja e problemit është kthimi i opozitës në Kuvend dhe zhvillimi i dialogut aty.
Ndërsa Donika Kada Bujupi ka këmbëngulur se zgjidhja e vetme është tërheqja e nënshkrimeve.
Grabovci tha se çështja e demarkacionit nuk është e përfunduar, pasi duhet të ratifikohet në Kuvend si marrëveshje ndërkombëtare dhe aty opozita dhe të gjithë mund të ofrojnë dëshmitë e tyre.
Ai i ka ftuar deputetët e opozitës të vijnë e të debatojnë aty ku e kanë vendin, në Kuvendin e Kosovës.
Por, Kada Bujupi ka thënë se pa u tërhequr marrëveshjet, ata nuk do të kthehen në Kuvendin e Kosovës.
Thirrjes së Grabovcit për kthim të opozitës në Kuvend i është bashkuar edhe Beqiri, i cili ka premtuar se një javë rresht do t’u shpjegojë dhe debatojë me opozitën për të gjitha pikat e Asociacionit.