Lajmet e fundit

Haradinaj: Tërhiqni marrëveshjet se kur të vijë populli në Prishtinë, atëherë bëhet vonë

Marrëveshjet gjithqysh do të tërhiqen. Por, se a do të tërhiqen me anulim, me rënie të Qeverisë apo me zgjedhje, pritet të shihet kur të tërhiqen, thotë lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se opozita nuk po ushtron dhunë.

Sipas tij, opozita po i mbron institucionet dhe demokracinë.

Ai ka thënë se dhunë mbi shtetin e Kosovës është duke ushtruar koalicioni qeverisës.

Haradinaj në një intervistë për ‘Epokën e Re’, ka porositur Kryeministrin Isa Mustafa ta anulojë marrëveshjen për Asociacionin dhe atë për demarkacionin, në të kundërtën të largohet nga posti i Kryeministrit.

Ai ka bërë me dije se opozita do të marrë pjesë në seancën e së premtes dhe nuk do të ndryshojë qëndrim në veprime.

“Pozita është mirë t’i heqë këto marrëveshje sa nuk është bërë vonë, se kur të vijë populli në Prishtinë, atëherë është vonë. Po ju them se kanë për t’u ndalur këto marrëveshje”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka treguar se edhe në takim me presidenten e kanë bërë të qartë qëndrimin e opozitës. Haradinaj e ka përjashtuar mundësinë e mbajtjes së një tryeze të përbashkët me pozitën për anulimin e dy marrëveshjeve. “Fillimisht kërkojmë të anulohen marrëveshjet, pastaj të bisedojmë për temat të cilat e shqetësojnë vendin”, është shprehur Haradinaj.

Lideri i AAK-së mendon se thirrja e seancës për këtë të premte është një përshkallëzim i situatës në vend. “Jemi të habitur për thirrjen e seancës. Kemi apeluar edhe te presidentja, që mos të thirret një seancë pa qartësimi e këtyre dy marrëveshjeve”, është shprehur Haradinaj, duke shtuar se është e pakuptimtë të insistohet që të mbahet edhe një seancë në këtë klimë politike. Megjithatë, ai ka bërë me dije se opozita do të shkojë në seancë. “Ne jemi çdoherë aty. Kemi qenë edhe në të kaluarën”, ka deklaruar Haradinaj.

I pyetur nëse kryeparlamentari Veseli do ta zbatojë Rregulloren e Punës së Kuvendit dhe do ta thërrasë sigurimin, dhe nëse situata tensionohet duke e ftuar edhe policinë, Haradinaj ka thënë se kontesti është politik dhe këtë problem s’mund ta zgjidhin policët. “Le të mbushet mend edhe Kadri Veseli dhe kushdo tjetër, se me policë nuk mund të zgjidhet problemi. Me policë nuk zgjidhen këto punë”, është shprehur Haradinaj. Ai ka kërkuar nga Mustafa t’i anulojë këto dy marrëveshje ose le të shkojë ai nga posti i kryeministrit. “Kriza e ka emrin ‘Zajednicë’ dhe demarkacion. Të anulohen këto dyja dhe nuk ka krizë. Ose do të bjerë Isa, ose do të bien këto dy tema”, ka thënë Haradinaj.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.