Lajmet e fundit

Opozita: Policia e prokuroria ta zbatojnë ligjin, jo urdhrat politikë

Partitë opozitare konsiderojnë se Policia dhe Prokuroria e shtetit, janë duke shkelur mbi ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës, dhe ka ditë që ka filluar ndjekjen ose kërcënimin e deputetëve të zgjedhur, përfaqësues legjitimë të popullit.

“Këto organe vetëm pak ditë më parë, në kundërshtim me ligjin dhe pa fletarrest të lëshuar nga Gjykata, arrestuan Albin Kurtin, ndërkohë që policia keqtrajtoi dhe rrahu në zyrat e saj, aktivistë të opozitës, me motivacionin se kanë qenë pjesëmarrës të protestës për lirimin e Albin Kurtit”, thuhet në një komunikatë të partive opozitare.

Më tej shtohet se po ashtu, policia dhe prokuroria po krijojnë një atmosferë kërcënuese ndaj opozitës, me komunikimin e tyre tejet joprofesionalë, me telefonata urdhëruese ndaj udhëheqësve të opozitës, e me fjalor të rëndë ndaj qytetarëve dhe aktivistëve.

“E gjithë kjo është krejt e pakuptimtë, në kohën kur të njëjtat institucione të rendit dhe të ligjit, po i lirojnë bijtë e njerëzve të pushtetshëm, të cilët akuzohen për krime të vogla e të mëdha, që nga therjet e deri te tenderët e jashtëligjshëm”.

“Në një situatë të tillë u bëjmë thirrje institucioneve dhe organeve të rendit që të ndryshojnë qasjen e tyre dhe të mos bëhen mjet i kërcënimit të opozitës, si në regjimet totalitare, aq më tepër duke u bërë levë e legjitimimit të dy marrëveshjeve kundërkushtetuese të nënshkruara nga Qeveria”.

“I bëjmë thirrje Policisë së Kosovës, prokurorëve dhe punonjësve të rendit, që në situatën e krijuar të veprojnë në përputhje me ligjin, rregulloret e tyre, si dhe në interes të qytetarëve. Ju jeni të obliguar që ta respektoni demokracinë në këtë vend, prandaj mos dëgjoni urdhrat politikë por veproni në bazë të ligjit”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.