Lajmet e fundit

Opozita ka përgatitur deri në detaje skenarin për bllokimin e Kuvendit. Si do të reagojë Kadri Veseli?!

Partitë opozitare kanë përgatitur deri në detaje bllokimin e Kuvendit të Kosovës. Kështu i kanë thënë Gazetës Blic burime brenda opozitës. Sipas këtyre burimeve, opozita deri në detaje e ka përgatitur skenarin për ta bllokuar edhe gjatë ditës së sotme seancën e Kuvendit të Kosovës.

Ky burim ndonëse nuk ka dhënë detaje se si do të bllokohet seanca, ka theksuar se askush nuk do të lëndohet.

“Askush nuk do të lëndohet. Por, seanca do të ndërpritet”, ka thënë ky burim.

Në anën tjetër, ende nuk dihet nëse kryetari i Kuvendit ka një plan konkret se si ta zhbllokoj seancën e Kuvendit.

Ndonëse kanë mbetur vetëm edhe pak më shumë se katër orë deri në fillimin e seancës plenare, ndërkombëtarët kanë vijuar me thirrje që të mos bllokohet Kuvendi.

Ambasadori amerikan në Kosovë, sërish i ka bërë thirrje opozitës që të mos e bllokoj punën e Kuvendit.

“Për ata njerëz që sjellin armë në Kuvendin e Kosovës dhe i përdorin kundër kolegëve të tyre, unë kam një mesazh: Ju po e lëndoni ekonominë e Kosovës, ju po rrezikoni që Kosova të izolohet nga komuniteti euroatlantik, ju po vëni në rrezik shanset e Kosovës për liberalizmin e vizave, ju po i vononi shanset e Kosovës për njohje të reja”, ka deklaruar dje ambasadori amerikan Greg Delaëie.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi ka theksuar do të ishte e pakuptimtë të lejohet mbarëvajtja e seancës në një situatë ku koalicioni qeverisës po e ndanë Kosovën.
“S’ka kuptim t’i lejojmë punimet e Kuvendit dhe funksionimin normal të Qeverisë, nëse vendi po shkon drejt ndarjes etnike”.

“Ne do ta vazhdojmë protestën në Kuvend dhe jemi të prerë që të mos lejojmë vazhdimin e seancës,” ka thënë Krasniqi për Klan Kosovën, duke shtuar se protesta do të vazhdojë derisa marrëveshjet me Serbinë dhe ajo për Demarkacionin me Malin e Zi të tërhiqen.

“Subjektet opozitare do të vazhdojnë protestën e tyre brenda Kuvendit të Kosovës. Kjo ngase Qeveria po vazhdon që me arrogancën e saj të insistojë në zbatimin e marrëveshjeve me Serbinë si dhe demarkacionit me Malin e Zi”.

“Këto marrëveshje janë të papranueshme ngase cenojnë sovranitetin dhe funksionalitetin shtetëror si dhe ia humbin vendit mbi 8000 hektarë tokë”, ka pohuar Krasniqi./Gazeta Blic

Leave a Reply

Your email address will not be published.