Presidentja Atifete Jahjaga ka pritur sot në takim një delegacion nga Unioni i Romëve të Ballkanit – BAROM me përfaqësues të romëve nga Turqia, Maqedonia dhe nga Kosova, i cili udhëhiqej nga kryetari i këtij Unioni, Nexhdet Mustafa, njëherësh ministër pa portofol në Qeverinë e Maqedonisë.
E para e shtetit me delegacionin nga BAROM-i bisedoi për të drejtat, liritë dhe kushtet në të cilat jetojnë dhe veprojnë qytetarët romë të Kosovës.
Me këtë rast Jahjaga theksoi se Kushtetuta e Kosovës ju garanton të gjithë qytetarëve, të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, të drejta dhe liri të barabarta. Ajo tha se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara ta mbrojnë identitetin etnik, kulturor dhe fetar të të gjitha komuniteteve.
Ajo shprehu përkushtimin e institucioneve të Kosovës për përmirësimin e vazhdueshëm dhe avancimin e të drejtave dhe lirive të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
Kryetari i Unionit të Romëve të Ballkanit, Nexhdet Mustafa, tha se mision i tyre është përmirësimi i kushteve të jetës dhe të punës, si dhe integrimi i romëve në shoqëritë dhe në institucionet në të gjitha vendet e Ballkanit.