Lëvizja Vetëvendosje reagon lidhur me intervistën e zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi, botuar sot në gazetën “Shekulli”. Në një reagim publik, kreu i “Vetëvendosjes”, Visar Ymeri, kundërshton përgjigjen e zëvendëskryeministrit Thaçi lidhur me marrëveshjet për Komunat Serbe. Thaçi në intervistë shprehet se gjykata i ka cilësuar në përputhje me Kushtetutën marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.
Ymeri citon vendimin e datës 2 shtator 2013 të Gjykatës Kushtetuese, e cila e cilëson këtë çështje si jashtë juridiksionit të saj dhe refuzon kërkesën për vlerësimin e marrëveshjeve.
“Po ashtu Lëvizja Vetëvendosje asokohe i ka dërguar marrëveshjet në Gjykatë Kushtetuese, e cila ka nxjerrë verdiktin se marrëveshjet, përfshi këtu edhe zotimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, janë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës.” – Hashim Thaçi, intervistë për gazetën Shekulli, 23 tetor 2015
“III. ME SHUMICË VOTASH, TA REFUZOJË kërkesën e parashtruesve për vlerësimin e Marrëveshjes së parë ndërkombëtare të parimeve që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe të Planit të zbatimit për këtë marrëveshje, pasi kjo bie jashtë fushëveprimit të juridiksionit ratione materiae të Gjykatës” – Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, 2 shtator 2013
Gjykata nuk ka pasur guxim ta vlerësojë përmbajtjen e marrëveshjes dhe përputhshmërinë e saj me Kushtetutën e Republikës.
Po Hashim Thaçi, a nuk di të lexojë? Apo thjesht gënjeshtrën e ka mënyrë të pashmangshme të funksionimit politik e publik”, shprehet Ymeri.