Dega e LDK-së në Malishevë mbajti tubim elektoral me banorët e qytezës së Malishevës. Në fillim, fjalën e mori kryetari i degës, Januz Kastrati, i cili theksoi ndër të tjera se LDK-ja është më e përgatitur se kurrë për t’i fituar zgjedhjet. Ai ishte i vendosur se Sali Morina do të zgjidhet në krye të komunës.
“Të gjithë qytetarët e Malishevës pa dallim përkatësie politike po thonë se Salih Morinës do t’ia japin votën, sepse është politikan i nivelit të lartë dhe i përgatitur profesionalisht”, tha ai.
Sipas tij, Sali Morina më 3 nëntor do të jetë kryetar komune, edhe atë pa balotazh.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Anton Quni, ndërkaq, theksoi se po bindet çdo herë e më shumë për vlerat e LDK-së, të cilat po shpërndahen në gjithë Malishevën, për kandidatin Sali Morina, të cilin po e përkrahni për ndryshimin që do të vijë më 3 nëntor.
Ndërsa, Salih Morina tha se Qyteza e Malishevës e dëshiron ndryshimin dhe një qeverisje më të mirë nga kjo e cila ka qenë deri më sot.
Ai theksoi se do të angazhohet për shëndetësi, arsim, mirëqenie dhe zhvillim ekonomik për të gjithë qytetarët e Malishevës. Kjo qytezë meriton përparim më të madh, sepse ka dhënë kontributin e saj si para lufte, gjatë luftës dhe pas saj.
Ai i ftoi qytetarët e Malishevës që t’ia besojnë votën në këto zgjedhje pasi përveç se dëshiron ta ndryshojë qeverisjen në Malishevë, ka edhe një mision të tijin që ta dërgojë më tutje vizionin politik të Presidentit Historik, doktor Ibrahim Rugovës.