Kryetari i Nismës Fatmir Limaj ka thënë se vendi gjendet në një krizë politike dhe shkaktar i kësaj krize politike është sjellja e pa përgjegjshme e koalicionit qeverisës i cili në mënyrë arrogante dhe të papërgjegjshme po punon në kundërshtim me interesat e vendit, në mënyrë të veçantë pas nënshkrimit të marrëveshjes për Zajednicën dhe Demarkacionin me Malin e zi.
Në një takim që mbajti me strukturat e Nismës në Podujevë Limaj ka thënë se insistimi që mazhoranca mbrëmë kishte që me çdo kusht të vazhdonte mbajtjen e seancës edhe në ato rrethana, dëshmoi për humbjen totale të arsyes nga ana e tyre.
Tutje kryetari Limaj theksoi se gatishmëria e tyre për ta shtypur me dhunë opozitën do ta rritë edhe më shumë gatishmërinë e opozitës për të vazhduar rezistencën ndaj këtij koalicioni qeverisës që po vepron në kundërshtim me interesat e vendit.