Lajmet e fundit

Vrasja e Remzi Hoxhës, Klosi: U zhduk pasi dinte lidhjet e Sali Berishës me Arkanin dhe Millosheviçin

Kanë kaluar 20 vite nga zhdukja e Remzi Hoxhës, biznesmenit dhe veprimtarit shqiptaro-maqedonas, vendndodhja e eshtrave të tij mbetet mister. Pavarësisht se ka të dënuar dhe është vërtetuar se u rrëmbye nga SHIK-u i Gazidedes dhe u dërgua në Vain të Lezhës ku vdiq nga torturat, shkaku i vërtetë i zhdukjes së tij vërtitet rreth takimit të dyshuar mes Milosheviçit, Berishës e Gligorov në Shën Naum.

Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi në një intervistë për gazetën “Sot”, është ndalur tek zhdukja e Remzi Hoxhës, 20 vjet më parë. Klosi theksoi se Remzi Hoxha u zhduk pasi dinte disa gjëra për Sali Berishën, të cilat nuk duhet t’i dinte. Sipas tij, Remzi Hoxha dinte lidhjet e Sali Berishës me Arkanin dhe më pas me Millosheviçin.
“Unë e di që i ka ngelur në dorë SHIK-ut. SHIK-u e mori Remzi Hoxhën dhe e torturoi. Me sa duket, ata që e torturuan, nuk kishin përgjegjësinë e masës dhe tani iu ngeli në dorë. Të gjithë njerëzit që kishin lidhje me këtë ngjarje, me anë të pasaportave diplomatike para ’97, ikën jashtë. SHIK-u e kishte të qartë që kishte gabuar. I është dashur që ai të vdiste dhe me budallallëkun e tyre, me profesionalizmin e tyre, e kishin torturuar aq shumë saqë iu ngeli në dorë”, ka thënë Klosi.
Ndërsa pyetjes se për çfarë mund të dëshmonte Remzi Hoxha, Klosi i është përgjigjur kështu:  “Dinte shumë në lidhje me marrëdhëniet e Berishës me Arkanin, pastaj me Millosheviçin. Atë e akuzuan për spiun të serbëve. Besoj se ishte e kundërta. Ai dinte disa gjëra që më mirë mos t’i dinte. Ata u përpoqën ta trembnin, duke e akuzuar për agjent të serbëve, në mënyrë që të dorëzohej. Por, siç duket, ai qëndroi burrërisht dhe përfundoi ashtu siç përfundoi”.  (SN)

Leave a Reply

Your email address will not be published.