Lajmet e fundit

Në nëntor, aktakuzë ose fund hetimesh për Ukë Rugovën dhe të tjerët

Në nëntor Prokurorisë Speciale i përfundon afati dyvjeçar i hetimeve ndaj Ukë Rugovës dhe 9 personave tjerë. Deri atëherë kjo prokurori duhet ose të ngre aktakuzë, ose të pushojë ndjekjen penale.

Ukë Rugova ishte ndaluar nga Policia e Kosovës në muajin shkurt të vitit të kaluar pas shpërthimit të aferës lidhur me vizat italiane në Kosovë.

Rugova dyshohet për veprat penale krim i organizuar lidhur me veprat ushtrim ndikimi.

Së bashku me Rugovën, në cilësinë e të dyshuarve në këtë grup janë edhe Izet Beqiri, Florian Petani, Fitim Beqiri, Visar Beqiri, Asad Beqiraj, Edison Idrizaj, Hamza Beqiri, Qefser Baholli dhe Driton Voca.

Nexhat Shabani, avokati mbrojtës i Ukë Rugovës, ende nuk ka ndonjë informacion se a do të ngrihet apo jo ndonjë aktakuzë për të mbrojturin e tij.

“Ne ende nuk kemi marrë ndonjë informacion zyrtar se a është ngritur aktakuza apo jo. Unë i kam parë disa raportime në media, por ne nuk kemi ndonjë informacion”, ka thënë tha Shabani.

Shabani, megjithatë është i vetëdijshëm se prokurori ka edhe pak kohë për të vendosur nëse do të ketë aktakuzë apo jo.

“Prokurori ka më pak se një muaj kohë të parashtrojë ankesën apo të pushojë hetimet”, ka shtuar më tej Shabani.

Se a do të ketë aktakuzë apo jo dhe në cilën fazë janë hetimet lidhur me këtë rast, nuk jep informacion as Prokuroria Speciale e Kosovës.

“Ju informoj se prokuroria nuk mund komentojë lidhur me hetimet që janë në vazhdim e sipër, as për të konfirmuar, e as për të mohuar aktivitetet, apo ndonjë gjë tjetër,” ishte përgjigja përmes postës elektronike e zëdhënëses së Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqit.

Prokurori Allen Cansick i EULEX-it është duke zhvilluar hetimet ndaj Ukë Rugovës dhe të tjerëve, ndërsa Zyra për Informim e Misionit Evropian për Sundim të Ligjit nuk ka dashur të deklarohet.

Procedura deri në këtë fazë

Disa procedura rreth këtij rasti avokati mbrojtës i Rugovës, Nexhat Shabani, i kishte quajtur “nonsens juridik”. Këto veprime kishin të bënin veçanërisht me caktimin e masës së sigurisë për Rugovën.

Ukë Rugova sapo ishte liruar nga paraburgimi me 20 qershor pas ankesës në Gjykatën e Apelit, ndërsa prokurori Cansick e kishte urdhëruar arrestimin e tij. /kallxo.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published.