Lajmet e fundit
Vaksina të mjaftueshme kundër gripit sezonal

Vaksina të mjaftueshme kundër gripit sezonal

Pandemia e gripit sezonal tashmë ka filluar dhe kjo është koha kur gripi sezonal atakon më së shumti të moshuarit, fëmijët, si dhe ata me sëmundje kronike, thonë zyrtarë shëndetësorë.

Në të gjitha qendrat kryesore të mjekësisë familjare, sipas zyrtarëve shëndetësorë, ka vaksina të mjaftueshme dhe interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar, është mjaft i madh.

Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, thotë se situata epidemiologjike në vend, është nën kontroll, derisa shton se instituti në fjalë ka planifikuar vaksina të mjaftueshme kundër gripit.

“Ne kemi rekomanduar që të vaksinohen sidomos njerëzit me sëmundje kronike, sepse tashmë në të gjitha Qendrat e mjekësisë familjare ka vaksina të mjaftueshme. Ministria e Shëndetësisë po siguron me kohë këto vaksina dhe është bërë planifikimi i duhur që këto vaksina të shpërndahen në të gjitha Qendrat e mjekësisë familjare, në komunat e Kosovës, dhe t’u jepen personave me indikacione epidemiologjike”.

“Të gjitha këto vaksina, praktikisht janë shpërndarë tashmë dhe të gjithë ata që kanë interesim, sipas indikacioneve epidemiologjike që të mbrojnë imunitetin e tyre, të lajmërohen në të gjitha qendrat kryesore të mjekësisë familjare në Kosovë dhe t’i marrin pa problem”, thotë Ramadani.

Edhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj, ka vaksina të mjaftueshme. Këtë e thotë Afrim Abazi, drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Ferizaj.

“Krahasuar me vitet paraprake, furnizimi është i mirë dhe mendoj se mjafton për numrin e pacientëve që paraqiten në qendrën tonë. Interesimi është te të gjitha moshat, por mendoj se të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike, kanë përparësi më shumë”, bën të ditur Abazi.

Izet Sadiku, infektolog, thotë për Radion Evropa e Lirë se deri tani në Klinikën infektive nuk është paraqitur ndonjë rast me komplikime të rënda nga gripi sezonal dhe fluksi i pacientëve nuk është shumë i madh.

Ndërkaq, drejtori i Departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë se bazuar në planifikimin që ka bërë Institutit Kombëtar i Shëndetit Publik, ministria ka siguruar 90 mijë doza të vaksinave kundër gripit, prej tyre njëmijë janë doza pediatrike.

“Ministria bën thirrje që të mos hezitojnë të vaksinohen dhe kështu në mënyrën më të lehtë më të thjeshtë dhe më të lirë, të mbrohen nga gripi sezonal . Përmes Institutit dhe Qendrave të Mjekësisë Familjare,  janë shpërndarë dhe janë në dispozicion të qytetarëve të gjitha vaksinat”, thekson Hoti.

Leave a Reply

Your email address will not be published.