Kjo mbështetje do të jetë në shumë aspekte, posaçërisht Çeku potencoi linjën e veçantë buxhetore që do të ndahet nga komuna për bizneset fillestare.
“Çdo biznes i çdo të riu i hapur, në fillim do të lirohet nga taksat ndaj komunës për 3-5 vjet varësisht nga numri i punëtorëve apo fuqia e biznesit. Kështu që në qeverisjen time as inkubatorët e biznesit nuk do të jenë vetëm por edhe të rinjtë që i hapin bizneset do të kenë mbështetjen e fuqishme të komunës, në atë mënyrë ne edhe krijojmë vende të reja të punës”, tha ai.
Agim Çeku tha se në administratën komunale do t’i përdorin shërbimet që do të jenë nga të rinjtë, duke filluar nga softuerët në mënyrë që qytetarët të kenë shërbime efikase dhe të lira.
“Ne si komunë po ashtu do t’i mbështesim qoftë bizneset tona, qoftë të rinjtë tanë të cilët na përfaqësojnë në evenimente të ndryshme ndërkombëtare të TI-së, ku i prezantojnë produktet e tyre dhe në atë formë e promovojnë trurin tonë kosovar, e promovojnë Kosovën, kryeqytetin tonë, asnjëherë nuk do të jenë lënë të vetëm por do të kenë mbështetjen e Komunës së Prishtinës”, tha ai.
Kandidati për kryetar Agim Çeku po ashtu vlerësoi lartë punën e Qendrës Inovative, me ç’rast premtoi mbështetje komunale, pasi që sipas tij dhe zyrtarëve të qendrës, kjo mbështetje po iu mungon.