Lajmet e fundit

Avokati i Popullit konstaton konfuzion në trajtimin e dëshmorëve të kombit

Avokati i Popullit i Republikës së Kosovës ka publikuar sot Raportin me rekomandime për ankesën nr. 201/2015, lidhur me njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit të UÇK-së apo të internuarit të UÇK-së.
Ky raport është bazuar në ankesën e parashtruar nga Behram Krasniqi, anëtar i Komisionit të familjeve të dëshmorëve të kombit kundër Komisionit Qeveritar, për shkak të mosnjohjes së statusit të dëshmorëve të rënë brenda periudhës 1968-1990.

Qëllim i këtij raporti është tërheqja e vëmendjes së Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) dhe Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, apo të internuarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (më tutje: Komisioni Qeveritar), lidhur me nenin 8, paragrafin 2 të Ligjit Nr.04/L-054, për Statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktima civile dhe familjeve të tyre.

Bazuar në nenin 18, paragrafi 1.7 të Ligjit për Avokatin e Popullit Nr. 05/L-019, Avokati i Popullit është i autorizuar “të rekomandojë nxjerrjen e ligjeve të reja në Kuvend, ndryshimin e ligjeve që janë në fuqi dhe nxjerrjen apo ndryshimin e akteve nënligjore dhe administrative nga institucionet e Republikës së Kosovës”.

Avokati i Popullit nuk ka arritur të sigurojë informata lidhur me qëndrimin zyrtar të Komisionit Qeveritar në raport me kërkesat e familjarëve të dëshmorëve të rënë gjatë periudhave të ndryshme historike, për shkak të mungesës së bashkëpunimit nga ana Komisionit Qeveritar, përkundër faktit se mosbashkëpunimi i organeve, institucioneve ose autoriteteve, që ushtrojnë pushtet legjitim në Republikën e Kosovës, paraqet shkelje të nenit 132, paragrafit 3 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenit 25 të Ligjit Nr.05/L-019 për Avokatin e Popullit.

Megjithatë, bazuar në legjislacionin fuqi, Avokati i Popullit vëren se neni 8 i Ligjit Nr.04/L- 054 përcakton të drejtën në pension dhe beneficione për familjet e dëshmorëve dhe të zhdukurve të UÇK-së, ndërsa paragrafi 2 i nenit 8, në veçanti përcakton se:

“Këto të drejta i realizojnë edhe të gjitha familjet e dëshmoreve të kombit të rënë në forma të ndryshme për lirinë e vendit në periudha të ndryshme historike” Avokati i Popullit vëren se sipas Ligjit Nr.04/L-054, neni 3 paragrafi 1.6, Dëshmor i Kombit konsiderohet pjesëmarrësi i UÇK-së që:

1.6.1. ka rënë në luftë për lirinë e vendit nga viti 1997-1999;

1.6.2. është plagosur në luftë për lirinë e vendit në periudhën 1997-1999 dhe ka vdekur nga plagët e marra brenda tri (3) viteve.

Avokati i Popullit konsideron se neni 8, paragrafi 2 i Ligjit Nr.04/L-054 ka krijuar pritje legjitime tek familjaret e dëshmorëve të kombit të rënë në periudha të ndryshme historike lidhur me realizimin e të drejtave të tyre.

Mos përmbushja e pritjeve legjitime të krijuara nga familjarët e dëshmorëve të kombit nga ana e autoriteteve të Republikës së Kosovës, përbën shkelje të të drejtave të tyre të përcaktuara me ligj.

Duke u nisur nga parimi i zbatimit të ligjshmërisë dhe me qëllim të përmirësimit dhe rritjes së efikasitetit të organeve të administratës publike, Avokati i Popullit, në pajtim me nenin 135 paragrafi 3, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës si dhe nenit 18 paragrafi 1.7 të Ligjit për Avokatin e Popullit, rekomandon:

Qeveria e Republikës së Kosovës t’i japë mandat Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, apo të internuarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ose të themelojë një komision të ri, i cili do të shqyrtonte kërkesat për njohje të statusit të dëshmorëve të kombit të rënë në periudha të ndryshme historike, sipas përcaktimit të vet Ligjit.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, me përkrahjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të ndërmarrë iniciativë për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.04/L-054, për Statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mënyrë që përkufizimet e ligjit të jenë në harmoni me përmbajtjen e ligjit.

Ky Raport me rekomandime i Avokatit të Popullit për Ankesën nr. 201/2015, u është dërguar institucioneve përgjegjëse: Qeverisë së Republikës së Kosovës, Ministrisë së Punëve dhe Mirëqenies Sociale dhe Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, apo të internuarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pret përgjigje në rekomandimet e ngritura lidhur me rastin, jo më vonë se deri më 28 nëntor 2015.

Leave a Reply

Your email address will not be published.