Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka vendosure që nesër të thërras mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit në të cilën pritet të caktohet seanca e re.
Zyra e kryetarit të Kuvendit përmes një njoftimi ka treguar se mbledhja e radhës e kryesisë së Kuvendit do të mbahet të martën, më 26 tetor në ora 11 të paradites.
Ndërsa nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti ka paralajmëruar se gjatë kësaj jave do të ketë një seancë tjetër në Kuvend.
Mirëpo përfaqësues të opozitës i kanë bërë thirrje kryekuvendarit Veseli që mos të thërras seancë në këtë kohë, pasi sipas tyre, gjendja është e tensionuar dhe nuk ka arsye që tensionohet edhe me shumë.
Anëtari i kryesisë së AAK-së, Muharrem Nitaj, ka thënë për ORAinfo se Kuvendi nuk do të duhej të caktonte mbledhje në një situatë çfarë është kjo tani.
Sipas tij, nuk ka asnjë urgjencë që Kuvendi të mblidhet në salla të improvizuara, apo të përsërisë seancën e ditës së premte.
“Bile një formë e tillë e punës në Kuvend, do të duhej të kundërshtohej nga të gjithë deputetët, pavarësisht se prej nga vijnë. Kosova nuk është në gjendje lufte. As nuk po kërkohet prej Kuvendit të marrë vendime për mbrojtjen e atdheut…Pse gjithë kjo urgjencë për të caktuar mbledhje të Kuvendit”, ka thënë për ORAinfo Nitaj.
Ai ka kritikuar edhe qasjen e kryeministrit Mustafa dhe zv/kryeministrit Thaçi rreth situatës së krijuar në vend.
“Thaçi e Mustafa, do të duhej të dërgonin disa mesazhe të politikanëve të përgjegjshëm, e jo të vetëkënaqen me disa rrëfime si ajo e Radoniqit, apo margaritari i fundit i testit të alkoolit për deputetët”, ka thënë Nitaj.
Ai ka theksuar se kjo formë e komunikimit nga drejtuesit e Qeverisë nuk është normale, madje sipas tij, është në shpërputhje me funksionet që i kryejnë këta njerëz.
“AAK, beson se nuk do të përsëritet më, një seancë si ajo ë të premtes natën. E fundit qoftë! Por nëse megjithatë përsëritet, atëherë është mirë që deputetët ta zbatojnë ligjin e shëndetit mendor, që e miratuan të premten natën, ndaj të gjithë atyre që mund ta kenë një skenarë të ngjashëm!”, ka thënë Nitaj. /ORAinfo/