Lajmet e fundit

Zyra e BE-së dhe Ambasadat urojnë popullin e Kosovës për nënshkrimin e MSA-së

Zyra e BE-së në Kosovë/Përfaqësuesi Special i BE-së dhe Ambasadat/Zyrat e shteteve anëtare të BE-së në Kosovë kanë uruar sot qytetarët e Kosovës për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA) me Bashkimin Evropian, dhe kanë lëshuar këtë deklaratë:
“Marrëveshja e Stabilizim Asociimit është marrëdhënia e parë kontraktuale në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Ajo paraqet një moment historik për të ardhmen evropiane të Kosovës. Me t’u ratifikuar nga Parlamenti Evropian dhe Kuvendi i Kosovës, MSA-ja do të thellojë lidhjet politike, ekonomike dhe tregtare në mes të BE-së dhe Kosovës. Që tani e  tutje, kjo Marrëveshje do të formojë kornizën kryesore për marrëdhëniet në mes të BE-së dhe Kosovës, duke e përgatitur më tej Kosovën për në rrugën e saj evropiane.

Kjo marrëveshje do të lehtësojë përputhshmërinë graduale të legjislacionit të Kosovës me tërë grupin e ligjeve dhe standardeve të BE-së, duke krijuar kështu një shtytje të re në ekonominë e Kosovës. Ajo do të paraqesë standarde më të larta për mbrojtjen e konsumatorit, që shpijnë në rritje të sigurisë për konsumatorët e Kosovës. MSA-ja do të shpijë po ashtu në një mjedis më të parashikueshëm afarist, me siguri më të madhe si për investitorët vendorë ashtu edhe ata të huaj, gjë që pritet të krijojë më shumë vende pune për qytetarët e Kosovës.

Të gjitha partitë politike në Kosovë kanë shprehur rregullisht angazhimin e tyre drejt rrugës evropiane të Kosovës dhe përafrimit të saj me vlerat e BE-së dhe sundimin e ligjit. Megjithatë, respektimi i sundimit të ligjit dhe institucionet e sundimit të ligjit nuk mund të jenë përzgjedhëse dhe të kushtëzuara nga vlerësimi subjektiv i dikujt dhe zbatimi i atij vlerësimi. Përdorimi i dhunës nuk ka vend në aktivitetet politike. Ekzistojnë mënyra dhe mjete të shumta demokratike që opozita mund t’i përdorë për të ngritur zërin e saj, dhe përdorimi i gazit lotsjellës nuk është asnjëra prej tyre.

Ne u bëjmë thirrje të gjitha partive politike që të shfrytëzojnë mundësinë e nënshkrimit të MSA-së për t’iu kthyer dialogut politik në nivel të institucioneve dhe të rikonfirmojnë angazhimin e  tyre për vlera evropiane me vepra, e jo me fjalë. Është në interes të të gjitha partive politike dhe në rend të parë të qytetarëve të Kosovës që të punojmë së bashku drejt zbatimit të shpejtë të MSA-së për të mirën e transformimit më të shpejtë të Kosovës në një vend ku njerëzit shohin me optimizëm të ardhmen e tyre evropiane. Në këtë kuptim, një Kuvend që funksionon, efikas dhe efektiv, do të ishte qenësor.

Nënshkrimi i sotëm është një e arritur e rëndësishme për Kosovën si dhe për BE-në. Rëndësia e saj, në kuptim të së ardhmes evropiane të Kosovës dhe e vlerave dhe legjislacionit që e përbëjnë atë, nuk duhet të nënvlerësohet. Ne do të mbesim të gatshëm për të ndihmuar Kosovën në hapat që kërkohen drejt rrugës së saj evropiane

Leave a Reply

Your email address will not be published.