Lajmet e fundit

Kuvendi shkeli rregulloren kur transmetoi dy seanca plenare në RTK

Kuvendi i Kosovës, transmetoi dy seancat plenare në RTK, atë në sallën kryesore dhe tjetrën që u mbajt në katin e pestë të objektit ku koalicioni qeveritar miratoi disa ligje.

Mirëpo transmetimi i dy seancave plenare në të njëjtën kohë është shkelje e rregullores së punës së Kuvendit, për shkak se gjatë mbledhjes së Kryesisë vendoset edhe për transmetimin e seancës në televizionin Publik.

Në rregulloren e punës së Kuvendit, në nenin 43 thuhet se Kryesia e Kuvendit vendos për transmetimin e seancës, duke specifikuar “përpos kur Kuvendi vendos ndryshe”.

“1. Mbledhjet e Kuvendit janë publike, përpos kur Kuvendi vendos ndryshe. Mbledhjet transmetohen në përputhje me vendimin e Kryesisë së Kuvendit. Mbledhjet plenare regjistrohen në formë elektronike. Çdo diskutim regjistrohet në gjuhën, në të cilën është bërë. Në procesverbal evidencohen pikat e rendit të ditës, diskutimet e përmbledhura dhe vendimet që i merr Kuvendi”, thuhet në nenit 43 të rregullores së punës së Kuvendit të Kosovës, raporton Indeksonline.

Mirëpo më 23 tetor, kur seanca vazhdoi deri në ora 3 të mëngjesit, RTK shfaqi dy seancat njëkohësisht edhe aty ku qëndronte opozita, që bllokoi punën, por edhe në katin e pestë të Kuvendit, ku miratoi ligje pozita.

Rrjedhimisht i bie se Kuvendi “keqpërdori” RTK-në, me transmetimin e dy seancave njëkohësisht duke shkelur kështu rregulloren e punës.

Kur mbahet mbledhja e kryesisë së Kuvendit, vendoset edhe për transmetimin e seancave në televizionin publik. Në rastin e shfaqjes së dy seancave plenare, Kryesia e Kuvendit nuk ka marr asnjë vendim që bazohet në rregulloren e punës.

Indeksonline i ka dërguar pyetje përmes postës elektronike sekretarit të Kuvendit, Ismet Krasniqi, mirëpo ai është përgjigjur shkurt duke mos e sqaruar transmetimin që ka ndodhur në kundërshtim me rregulloren e punës së Kuvendit.

Ai ka thënë shkurt se ka pasur një mbledhje plenare dhe ajo është transmetuar.

“Në ditën e përmendur ka pasur një mbledhje plenare, e cila edhe është ndjekur me transmetim”, ka thënë Krasniqi për Indeksonline.

Ndryshe RTK është vetëm transmetues i sinjalit, që me vendim të Kryesisë së Kuvendit, shfaqet edhe seanca plenare e Kuvendit.

Leave a Reply

Your email address will not be published.