Një nismë e deputetëve të pozitës për ta shpallur Lëvizjen Vetëvendosje të jashtëligjshme, përmes Gjykatës Kushtetuese, nuk e sheh të arsyeshme deputeti i LDK’së, Arben Gashi
Mediat kanë raportuar të mërkurën se një grup i deputetëve të koalicionit qeveritar po bëhen gati për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese një rast të veçantë: Një kërkesë për ta nxjerrë të jashtëligjshme Lëvizjen Vetëvendosje, duke e akuzuar atë si organizatë anti-kushtetuese, anti-demokratike dhe nxitëse të dhunës e urrejtjes.
Por, për këtë nuk ka asnjë informacion deputeti i këtij koalicioni Arben Gashi. Madje sipas tij një kërkesë e tillë nuk është as e arsyeshme.
“Nuk kam asnjë informatë dhe nuk besoj që është e arsyeshme kjo”, tha për Gazetën Express, deputeti i LDK’së.
Sipas mediave që kanë raportuar këtë nismë, thuhet se kjo nismë përfshinë edhe kërkesën që çështja e nxjerrjes së Vetëvendosjes si lëvizje politike e kundërligjshme, të dërgohet për shqyrtim edhe në Komisionin e Venedikut, i cili do të mund të jepte opinionin e vet për përputhshmërinë me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut