Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati
Për herë të parë, pas gjithë kaosit dhe tymnajës që po ndodh në Kosovë, qeveria shqiptare ka dhënë qëndrimin e saj për marrëveshjen që ka të bëjë me asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Ka qenë ministri i Jashtëm Ditmir Bushati i cili është shprehur sot për këtë çështje, ndërsa ka mbajtur një fjalim mbi politikën e jashtme të Shqipërisë, para mediave dhe studentëve të shkencave politike.
Ndërsa është pyetur lidhur me qëndrimin e Shqipërisë ndaj asociacionit të komunave, Bushati tha se si Kosova dhe Serbia kanë bërë kompromise të dhimbshme sipas pikëpamjes së secilit prej dy shteteve, dhe BE nga ana tjetër ka ofruar disa iniciativa ku në rastin e Serbisë i është dhënë drita e gjelbër për fillimin e bisedimeve për anëtarësim, dhe për Kosovën është arritur e marrëveshja e Stabilizim-Asociimit.
Ministri tha se kjo marrëveshje nuk e cenon sovranitetin e Kosovës, por se duhet parë edhe implementimi i marrëveshjes.
“Natyrisht Kosovës i është dashur gjithashtu të bëjë disa kompromise të cilat nuk prekin dhe nuk vënë në pikëpyetje as sovranitetin e Kosovës dhe as subjektivitetin juridiko-ndërkombëtar të Kosovës. Por nga ana tjetër ne nuk kemi parë ende implementimin e këtyre marrëveshjeve. Pra ende nuk e dimë se cili do të jetë statuti i asociacionit për të cilën ka shumë diskutime sot për sot në Kosovë, por nga ana tjetër dimë që kornizat janë të përcaktuara shumë qartë në marrëveshjen e arritur ndërmjet Serbisë dhe Kosovës me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Çdo gjë do të bëhet mbi bazë të ligjeve të Kosovës dhe çdo gjë do të jetë në përputhje me kuadrin normativ të Kosovës”, tha Ditmir Bushati lidhur me çështjen e asociacionit të komunave.
Duke vlerësuar arritjen e nënshkrimit të MSA-së mes Kosovës dhe BE-së, ministri Bushati theksoi se Kosova e meriton edhe anëtarësimin në UNESCO, dhe se Shqipëri a do të angazhohet për procesin e njohjeve të reja të shtetit të Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare.
“Partneriteti strategjik me Kosovën i institucionalizuar me mbledhjen e Prizrenit në janarin e 2014-ës është një instrument themeltar që synon të jetësojë kursin europian të faktorit shqiptar në rajon. Angazhimi ynë karshi Kosovës në procesin e njohjeve dhe anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare mbetet një konstante e politikës sonë të jashtme. Falë aksionit diplomatik të Shqipërisë, anëtarësimi i Kosovës në platformat më të qenësishme rajonale i ka dhënë kuptimin e vërtetë bashkëpunimit rajonal. Ndërsa nënshkrimi i djeshëm i MSA-së me BE-në shënon ankorimin e Kosovës në rrjedhat evropiane. Kosova e meriton anëtarësimin në UNESCO dhe ne do vijojmë ta mbësht esim në sintoni të plotë me partnerët tanë strategjikë, pasi besojmë se paqja arrihet nëpërmjet bashkëpunimit dhe gjithëpërfshirjes dhe jo përmes izolimit”, tha Bushati.
Ndërsa preku çështjen e liberalizimit të vizave, ministri Bushati tha se qytetarët e Kosovës janë të vetmit që nuk gëzojnë lirinë e lëvizjes në hapësirën Shengen, ndaj dhe BE duhet të përfundojë procesin e liberalizimit të vizave në Kosovë.
Lidhur me bashkëpunimin Shqipëri-Kosovë ministri Bushati tha se në këto dy vite është përforcuar ndjeshëm me mbledhjet e përbashkëta të qeverive dhe me vijimin e implementimit të marrëveshjeve të përbashkëta. Aktualisht ka pengesa dhe barriera në bashkëpunimin ekonomik, -tha ministri,- por edhe këto do të kalohen.
Ministri foli edhe për angazhimin e Shqipërisë në përmirësimin e gjendjes dhe të drejtave të shqiptarëve në rajon, sidomos në Luginën e Preshevës, për t ë cilën tha se do ti kërkohet Serbisë që të zbatojë marrëveshjet e firmosura siç është edhe ajo e njohjes së ndërsjellat të diplomave, ngritjen e maternitetit në Preshevë, apo një organizim më të mirë politik të shqiptarëve në Luginë.