Lajmet e fundit

Ja çfarë thotë Bushati për “Zajednicën” dhe marrëdhëniet me Serbinë e Greqinë

Në emër të qeverisë shqiptare, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, reagoi në lidhje me situatën e krijuar në Parlamentin e Kosovës, pas marrëveshjes Kosovë-Serbi për marrëveshjen e Asociacionit për Komunat me shumicë serbe, ose siç njihet ndryshe “Zajednica”.

“Kornizat janë të përcaktuara shumë qartë në marrëveshjen e arritur ndërmjet Serbisë dhe Kosovës me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian. Çdo gjë do të bëhet në bazë të ligjeve të Kosovës dhe çdo gjë do të jetë në përputhje me kuadrin normativ të Kosovës”, tha Bushati, duke u treguar i kujdesshëm në pozicionimin mes dy qëndrimeve, asaj të qeverisë dhe opozitës që kanë ndarë politikën kosovare pro dhe kundër marrëveshjes për Asociacionin, përcjell Portali Albeu.

“A është legjitim shqetësimi që mund të vijë nga aktorë të ndryshëm politikë në Kosovë, apo dijetarë dhe mendimtarë që kanë shkruar gjerësisht për këtë çështje? Natyrisht që shqetësimi është legjitim, sepse ne kemi parë në Ballkan shtete jofunksionale. Unë mirëkuptoj shqetësimin që ngrihet për sa i përket funksionalitetit të shtetit të ardhshëm të Kosovës. Në këtë pikëpamje gjykoj që rruga më e mirë është rruga e dialogut edhe me partnerët strategjikë, që e kanë mbështetur Kosovën për të qenë në tryezat kryesore të platformave rajonale”, shpjegoi Bushati.

Duke sjell si shembull rastin e marrëveshjes së Daytonit me Bosnjën, ku megjithëse kanë kaluar shumë vite nuk kanë zgjidhur problematikën në këtë vend, ai tha se rruga e duhur, është dialogu.

“Ne kemi parë në Ballkan shtete jofunksionale. Ndonëse mund të festojë përvjetorin e 10 apo 20-të marrëveshjes së Detonit, nuk është ndonjë sekret të thuhet që funksionaliteti sot për sot i Bosnjës vijon të jetë një temë kryesore e ditës. Dhe te rasti i Kosovës unë mirëkuptoj shqetësimin që ngrihet për sa i përket funksionalitetit të shtetit të ardhshëm të Kosovës. Në këtë pikëpamje, gjykoj që rruga më e mirë është rruga e dialogut”, tha Bushati.

Në një leksion të hapur për studentët e Fakultetit të Shkencave Sociale, kryediplomati shqiptar theksoi se nënshkrimi i MSA me BE-në shënjon ankorimin e Kosovës në rrjedhat europiane.

“Kosova e meriton anëtarësimin në UNESCO dhe ne do të vijojmë ta mbështesim në sintoni të plotë me partnerët tanë strategjikë, pasi besojmë se paqja arrihet nëpërmjet bashkëpunimit dhe përfshirjes dhe jo nëpërmjet izolimit”, tha Bushati.
Marrëdhëniet me Serbinë

Jo pak të diskutueshme kanë qenë marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shqipërisë, për të cilat ministri i Jashtëm, vuri në dukje qasjen pa tabu dhe pa droje në lidhje me ecurinë e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve, por nuk mohoi faktin se mes dy vendeve ka ende vështirësi për arritjen e një marrëdhënie tjetër.

“Simbolika e vizitave të ndërsjella është pasuar nga disa hapa normalizues në kuadër të procesit të Berlinit, ku mund të veçoj nismën për bashkëpunimin rinor sipas modelit franko-gjerman. Unë jam dhe mbetem realist për sa u përket vështirësive që ka marrëdhënia me Serbinë”, ka thënë Bushati, përcjell Shqip.

Pavarësisht se pavarësia e Kosovës është një çështje që ndan palët ajo që i ndan më së shumti këto vende është përcaktueshmëria e Serbisë për shqiptarët.

“Përtej qëndrimeve mbi çështjen madhore të Kosovës, mendoj se ajo që e ndan shumë më tepër Shqipërinë nga Serbia, është përcaktueshmëria perëndimore e shqiptarëve dhe identiteti i fragmentarizuar i Serbisë në këtë drejtim”, shton ai.

Marrëdhëniet me Greqinë

Duke u ndalur në marrëdhëniet me Greqinë, kreu i diplomacisë greke bëri të ditur se mes dy palëve është duke u hartuar një dokument i ri, i cili do të adresojë edhe një herë të gjitha problemet e mbartura mes palëve.

“Kur mora detyrën, marrëdhëniet me fqinjin tonë jugor ishin thuajse të ngrira, të mbizotëruara nga një frymë mosbesimi dhe nga mungesa e kontakteve të nivelit të lartë. Aktualisht, falë asaj që unë e quaj “politika e hapave të vegjël”, kemi vënë në veprim një aksion diplomatik të përqendruar tek arritja e rezultateve konkrete dhe jo te retorikat e ënjtura me patos nacionalist. Qëndrimet tona konsistente kanë treguar se me Greqinë mund të diskutojmë si palë të barabarta për çështje, të cilat duhen trajtuar ballazi, pa drojë dhe pa komplekse. Nuk ka më tema tabu, por vetëm sfida që duhen tejkaluar. Tanimë, kemi hyrë në një fazë të re gjatë së cilës po hartojmë një dokument të ri për të adresuar probleme të mbartura dhe për të çliruar potencialin pozitiv të marrëdhënies sonë”, tha Bushati, i cili shtoi se në të njëjtën kohë gjatë dy viteve të shkuara, Greqia pranoi se Ligji i Luftës krijon një situatë anormale dhe të papranueshme midis fqinjësh.

Konkretisht për çështjen detare që ende nuk ka gjetur një zgjidhje të pranueshme nga të dy vendet, Bushati bëri me dije se mes dy vendeve nuk bëhet fjalë për ndarje të kufirit detar, por bëhet fjalë për delimitimin e shelfit kontinental dhe zonës ekonomike ekskluzive.

“Me Italinë ky proces ka zgjatur 7 vjet dhe pse terreni apo distanca gjeografike ka qenë më e favorshme. Për dosjen me Italinë në MPJ ndodhet e gjithë ekspertiza e nevojshme nga grupi i punës dhe është tepër voluminoze gjë që nuk ka ndodhur për negociatën e zhvilluar me Greqinë. Gjykata Kushtetuese është shprehur qartë për këtë çështje dhe asnjë nga ne nuk mund të dalë mbi atë vendim. Unë përfaqësoj PS-në, forcën politike që e dërgoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese. Rrugët për zgjidhjen e çështjes mbeten dy, ose do të ketë negocim për një marrëveshje të re ku në thelb do të jetë objekti i marrëveshjes. Ose Arbitrazhi ndërkombëtar”, është shprehur ministri i jashtëm Ditmir Bushati. /albeu.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published.