“Ne duhet që patjetër të kemi përgjigje serioze dhe të përgjegjshme dhe kjo do të pasojë në ditët në vijim, e që ka të bëjë me Bashkimin Evropian dhe sjelljes së tyre ndaj të gjithë neve”, ka deklaruar Vuçiq për Radiotelevizionin e Serbisë.
I pyetur për koment “pse Brukseli tash për tash hesht” lidhur me këtë, Vuçiq ka thënë se “kjo është shumë e fuqishme dhe flet vetë për vete”.
Ai ka shtuar se vendimi i Prishtinës është lajm i keq dhe të paktën një sjellje e papërgjegjshme.
“Dikush do të thoshte se nga Prishtina gjithmonë mund ta prisni këtë, por mendoj se është lajm i papritur sepse bëhet fjalë për sjellje tejet të papërgjegjshme”, ka thënë Vuçiqi.
Ai ka shtuar se për Marrëveshjen e Brukselit është negociuar me muaj, se këto negociata kanë qenë të mundimshme, të rënda dhe përplot kompromise, ndërsa në fund është vënë nënshkrimi i cili tani s’po respektohet.
“Dikush ka vënë nënshkrimin e vet. Nënshkrimi im vlen diçka, nënshkrimi i kujtdo nga Serbia për mua ka pasur vlerë, edhe i Borko Stefanoviqit, edhe i Boris Tadiqit dhe Ivica Daçiqit. Atyre nënshkrimet e tyre s’u vlejnë gjë, kurse këtë e bënë një ditë pasi fituan Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në”, ka thënë Vuçiqi.
Deklaratën për televizionin shtetëror kryeministri i Serbisë e ka bërë nga Moska, ku po qëndron për vizitë zyrtare.