Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Dërguti i është kundërpërgjigjur kryeministrit të vendit, isa Mustafës rreth siç ka thënë ajo shqetësimit për familjen e tij. Dërguti në një shënim në Facebook ka theksuar se fëmijët e Isa Mustafës nuk i gjen gjë, derisa ka theksuar se Zajednica është ajo që i rrezikon fëmijët që ende s’kanë lindur…
Ky është shënimi i plotë i saj:
Rreth shqetësimit të Isa Mustafës vetëm për familjen e tij që e shprehu mbrëmë në emision:
- Fëmijët e Isa Mustafës nuk i gjeti dhe nuk i gjen gjë. Fëmijët e Kosovës, edhe ata që nuk kanë lindur ende, i rrezikon ‘Zajednica’ e Serbisë dhe papunësia në Kosovë. Isa Mustafa po shpif. Më 25 gusht, banerin “Shiti pronat tua, jo Kosovën!” kemi dashur ta vendosim para portës së rançit të tij në Prapashticë, por policia na ka ndalur, rrahur e arrestuar 200 metra para se të arrijmë atje. Kurrfarë cenimi i tij ose i familjes së tij nuk ka ndodhur. Por, pikërisht prej Isa Mustafës po cenohet e gjithë Kosova, në të tashmen dhe të ardhmen e saj.
- Vetë avokati i djalit të Isa Mustafës, Besnikut, gjatë procesit gjyqësor kundër tij, në dhjetor të vitit 2014, është thirrur publikisht te fakti se Besniku e ka kryeministrin babë! Pra, vetë këta po e bëjnë lidhjen familjare në sferën publike, jo ne. Natyrisht, shto këtu edhe tenderin prej 2.900 euro që Besniku e fitoi nga kryeministri e prej të cilit u tërhoqën më vonë vetëm si rezultat i trysnisë publike. Në atë kohë, në një postim të tijin në Facebook, Isa Mustafa me cinizëm pat thënë që ai ka nevojë për më shumë para e jo për 2.900 euro (sic.)! Isa Mustafa e ka keqkuptuar pozitën e kryministrit. Njeriu nuk bëhet kryeministër për t’i shërbyer familjes së vet por të gjitha familjeve të tjera të populllit marrë së bashku.
- Djemtë e Isës janë rrugës së vëllezërve të Thaçit. Ata nuk do të ishin bërë biznesmena të pasur pa i pasur babën, përkatësisht vëllaun, kryeministër! Por, kjo rrugë e tyre është rrugë e dëmtimit të Kosovës dhe rrugë e turpit për ta.