Avokati i Popullit ka pranuar një numër ankesash kundër Agjencisë Kosovare të Privatizimit (më tutje AKP), lidhur me vonesat në shpërndarjen e mjeteve apo në kompensimin e kreditorëve të ndërmarrjeve shoqërore në likuidim dhe për këtë ka nxjerrë një raport me rekomandime.
Bazuar në nenin 18, paragrafi 1.2 të Ligjit për Avokatin e Popullit Nr. 05/L-019, Avokati i Popullit ka përgjegjësi “Të tërheqë vëmendjen për rastet kur autoritetet i shkelin të drejtat e njeriut dhe të bëjë rekomandime që t’u jepet fund rasteve të tilla dhe kur është e domosdoshme të shprehë mendimin e vet mbi qëndrimet dhe reagimet e autoriteteve përkatëse në lidhje me rastet e tilla”.
Institucioni i Avokatit të Popullit ka vlerësuar se mosemërimi i Bordit të AKP-së, i cili ka rol qenësor, më mes të tjerash, në miratimin e shpërndarjes së mjeteve dhe kompensimin e kreditorëve, paraqet ndërhyrje në të drejtën pronësore të ankuesve dhe po ashtu paraqet shkelje të së drejtës në gjykim të drejtë dhe të paanshëm, transmeton Koha.net.
Në Raportin e publikuar sot, i cili u është dërguar Kryeministrit të vendit, Isa Mustafa dhe kryeparlamentarit, Kadri Veseli, Avokati i Popullit u rekomandon:
1. Qeveria e Republikës së Kosovës të ndërmerr të gjitha veprimet e domosdoshme për propozimin e tre anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të AKP-së, sipas nenit 4, paragrafit 3 të Ligjit nr. 04/L-115 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës.
2. Kuvendi i Republikës së Kosovës të emërojë anëtarët e Bordit të AKP-së, në mënyrë që Bordi të kompletohet dhe të bëhet funksional ose së paku ta ketë kuorumin e duhur, sa më shpejtë që është e mundur, në mënyrë që të ndalohen shkeljet e shkaktuara nga mungesa e Bordit.
3. Nga akterët e përfshirë në çështjet e propozimit dhe emërimit të anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të AKP-së të vendoset procedura për emërimin e tre anëtarëve, të cilët deri më 31 gusht 2014 i kishte emëruar Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar.