Lajmet e fundit
VV: Terminali i ri i ANP-së, ndërtim pa leje

VV: Terminali i ri i ANP-së, ndërtim pa leje

Lëvizja Vetëvendosje në një konferencë për media ka kritikuar çështjen e ndërtimeve pa leje duke bërë fajtorë strukturat më të larta shtetërore. Rasti më i fundit sipas tyre është skandali me Terminalin e ri të Aeroportit në Prishtinë.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Liburn Aliu ka thënë se Hashim Thaçi e bëri hapjen e këtij objekti, ku nuk hezitoi t’i thërrasë edhe dy kryeministra të tjerë në përurim e një objekti që sipas tij është pa leje.
“Dita e djeshme ishte fytyra e vërtetë e pushtetit qendror sot për sa i përket funksionimit të shtetit dhe të ligjit.
Kur themi shtet, nënkuptojmë ligj, nënkuptojmë zbatim të ligjit, procedura dhe respektim të atyre procedurave. Leja për ndërtim nuk është thjeshtë formale. Kur themi leje për ndërtim, kur themi leje urbanistike, atëherë nënkuptojmë shtetin i cili përpiqet që qytetarëve të tij t’u garantojë siguri.
Nëse objekti që u inaugurua dje, nuk ka leje, atëherë kush do ta ketë përgjegjësinë në të ardhmen për atë objekt? E kuptojmë që më vonë ai do të pajiset me leje, sepse është bërë zakon kjo nëpër Kosovë, që të bëhen letrat sa për formalitet”, tha ndër të tjera Aliu.
Aliu ka thënë se të njëjtën gjë mund ta shihni në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Ferizaj, Deçan, Therandë, e thuajse në të gjitha Komunat e Kosovës. Ndërtimet sipas tij realizohen qoftë pa leje, qoftë me leje në kundërshtim me ligjin, e shpesh ato janë të ndërtuara në tokë bujqësore, në toka nën komasacion apo hapësirë.
Në shembujt të cilët ka përmendur ai ka thënë se Prishtina, në verën e vitit 2010, mori vendim për ndalimin e ndërtimeve pa leje dhe për legalizimin e ndërtimeve pa leje. Që nga ajo ditë e deri më sot janë qindra objekte pa leje të ndërtuara më vonë. Vetëm në fund të vitit 2011, kanë qenë mbi 400 objekte të ndërtuara pa leje, pas marrjes së atij vendimi.
Ndërsa në Pejë, Gjakovë dhe Deçan janë jashtë çdo standardi, jashtë planit dhe konceptit urbanistik. Kanë uzurpuar prona publike, por kanë marrë leje nga komuna. Pra, është një lloj legalizimi i krimit.
“Pra, cilido pushtet qoftë ai, qoftë i LDK-së, i PDK-së, i AAK-së, qoftë pushteti qendror, e kanë një të përbashkët të tyre: mosrespektimin e ligjit”, ka thënë ai.
Në pyetjet e gazetarëve lidhur me çështjen e terminalit të ri të Aeroportit, deputeti Liburn Aliu tha se ky Aeroport, kur të vije në fuqi ligji për ndërtimet pa leje, do të jetë njëri nga objektet që do duhej t’i nënshtrohej këtij ligji për legalizim. /Zëri

Leave a Reply

Your email address will not be published.