Deputeti, Fatmir Limaj bashkë me 4 të akuzuarit tjerë në rastin MTPT, do të kenë mundësinë që të deklarohen rreth fajësisë ose jo me 18 nëntor, kur edhe është vendosur seanca e radhës për këtë rast.
Limaj dhe 4 bashkëpunëtorët e tij akuzohen për krim të organizuar, keqpërdorim të detyrës, marrje ryshfeti e keqpërdorim të autorizimeve.
Në një seancë e cila zgjati plotë 4 orë, e që do të duhej të shërbente vetëm për harmonizimin e datave të seancave të rastit, mbrojtja e ka konsideruar që aktakuza nuk është e ligjshme për shkak se përmban termin aktakuzë e konsoliduar, termë ky i panjohur për ligjin.
“Kemi pranuar një akuzë të konsoliduar, Kodi i Procedurës Penale nuk e njeh shprehjen “aktakuzë e konsoliduar”. Ajo mund të jetë e zgjeruar e ndryshuar, por jo e konsoliduar” ka thënë avokati i Limajt, Tahir Rrecaj.
Ndërkohë, trupi gjykues, pas një pauze për t’u konsultuar, kanë hedhur poshtë ankesat e avokatëve mbrojtës.
“Ky trup gjykues do te respektoj urdhrat e Gjykatës së Apelit të dhjetorit të vitit 2014”, ka thënë Gjyqtarja e rastit, Marie Tuma.
Sa i përket çështjes së përbërjes së trupit Gjykues, Tuma ka thënë se kjo do të sqarohet në seancat e ardhshme.
“Bazuar në ligjet e Kosovës shumica e trupit gjykues duhet të jenë anëtarë vendor. Kështu parasheh marrëveshja mes Këshillit Gjyqësor dhe EULEX-it, që në gjykime të jenë 2 gjyqtarë vendor dhe 1 ndërkombëtar”, ka thënë Arianit Koci, avokat i Endrit Shalës.
Ndryshe Aktakuzat për Fatmir Limajn ish-ministër i Transportit, Fatmir Limaj, këshilltari i tij, Endrit Shala, shefi i prokurimit, Nexhat Krasniqi, biznesmeni Florim Zuka dhe truproja e Limajt, Shpëtim Telaku u konsolidua në shtator të këtij viti. 2 vite pasi u ndërpre gjykimi i tyre në dy aktakuza të ndara, atyre me 28 shtator 2015 një Prokuror ndërkombëtar i Prokurorisë Speciale iu ngriti aktakuzë të re të konsoliduar përmes Gjykatës Themelore të Prishtinës.