Opozita është e vendosur që të mos marrë pjesë në seancën e së hënës, ku edhe pritet të miratohet Marrëveshja për Stabilizim Asociim.
Ndonëse nuk do të jenë pjesë e votimit të kësaj marrëveshjeje të rëndësishme për Kosovën, zyrtarë të opozitës kanë thënë se nuk do ta pengojnë këtë seancë.
Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi, ka treguar arsyen e bojkotimit të kësaj seance. Sipas tij, opozita ka shumë vërejtje për këtë marrëveshje.
Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, është i bindur se Kuvendit do t’i kthehet normaliteti.
Megjithëse partitë opozitare vazhdojnë të insistojnë në bllokimin e punës së Kuvendit.
Kryesia e Kuvendit ka vendosur që përveç seancës së të hënës për MSA-në, më 6 nëntor, në orën 11:00, Kuvendi të mblidhet në një seancë të veçantë për nder të komisionerit për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, i cili njëherësh do t’u adresohet deputetëve me një fjalë rasti.
Në anën tjetër, të hënën drejtuesit e grupeve parlamentare opozitare do të mbajnë një konferencë për media, ku do ta bëjnë të ditur qëndrimin e plotë në lidhje me MSA-në.