Lajmet e fundit

Sejdiu: Nuk përjashtohen protestat, por shpresojmë në zgjidhje pa t

Alush Sejdiu, nënkryetar i BSPK-së, në Ballë për Ballë me Shkodran Gajrakun ka thënë se kategorizimi për pagë minimale në Kosovë është i gabuar.

Sipas tij për këtë gjë do të duheshin marrë për bazë ngarkesat e jo mosha e punëtorit, njofton Klan Kosova.

“Paga minimale propozohet dhe debatohet në Këshillin Ekonomik-Social. Ai e debaton pagën minimale çdo vit. Aktualisht paga minimale në Kosovë është e kategorizuar. Ne si BSPK nuk jemi pajtuar, por kjo ka qenë e rregulluar me një vendim të Qeverisë, por që tani ai afat ka kaluar”.

“Për ne është i paarsyeshëm kategorizimi në bazë të moshës, e jo në bazë të ngarkesave, fizike, psikike, etj”.

Sejdiu poashtu ka thënë se punëtorëve të larguar nga puna nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit do të duhej t’u njihej përvoja e punës.

“Kërkesa e njohjes së përvojës së punës për punëtorët e larguar nga regjimi i Millosheviqit është legjitime”.

“Gjatë procesit të privatizimit kjo shtresë e ka pësuar më së keqi. Disa prej tyre tash mbushin moshën 65 vjeçare dhe shkaku i mosnjohjes së përvojës nuk gëzojnë benefite”.

“Të gjithë ata njerëz që kanë mbetur papunë të asaj gjenerate nuk pensionohen përnjëherë. Prandaj nuk janë barrë e madhe buxhetore”.

“Është e pandershme që edhe pas 16 viteve askush të mos përkujdeset për këtë kategori të njerëzve”.

Nënkryetari i BSPK-së ndër të tjera ka përmendur edhe negociimin për kohëzgjatjen e pushimit të lehonisë në Kosovë.

“Kemi mospajtime sa i përket pushimit të lehonisë. Pushimi i lehonisë, bazuar në kushtet të cilat i kanë lehonat, do të duhej të jetë 12 muaj, 9-të me pagesë, 3 pa pagesë”.

Sejdiu nuk i ka përjashtuar as protestat si mjet për realzimin e kërkesave.

“Sindikatat në statutin e tyre i kanë edhe protestat, grevat. Por pasi jemi në dialog me Qeverinë dhe bizneset, shpresojmë që të dakordohemi”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.