Lajmet e fundit

Drejtori komunal i kërkon falje publike asamblistes së VV-së (Video)

Asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, e ka paditur drejtorin e Shërbimeve Publike në Prizren Hasan Hasanin, për fyerjet që pretendonte se ia kishte bërë në zyrën e tij.

Millaku kishte bërë kërkesë për qasje në dokumente publike në zyrën ku drejtor ishte Hasan Hasani.

Kërkesa kishte të bënte me tregjet në Prizren, por pasi kishte kaluar afati ligjor dhe nuk kishte marrë dokumentet e kërkuara ajo kishte shkuar në zyrën e Hasanit.

Nga aty, Millaku pretendon se kishte dalë e fyer.

“Jo që më priti shumë keq, por më ofendoi, më nxori nga zyra duke më thënë fjalët më të ulëta dhe kjo ishte arsyeja pse u detyrova pastaj me datën 5 nëntor të bëj kallëzim civil sa i përket ofendimit”, thotë Millaku.

Padia civile e Millakut është e para për fyerje që është deponuar në Gjykatën Themelore të Prizrenit, madje e bërë nga një grua.

Padia është marrë në shqyrtim në muajin korrik të këtij viti dhe është përfunduar tani në tetor.

Kërkesa e Millakut, nga fillimi kishte qenë kërkim falja publike e drejtorit Hasani ndërsa nuk kishte pretenduar të nxirrte të holla.

Por meqë fillimisht Hasani nuk kishte pranuar të kërkonte falje, proceduralisht Millaku është detyruar të precizohej për dëmin e shkaktuar material, prandaj kishte vendosur që t’ i kërkojë 3.500 euro si dëmshpërblim moral.

“Pasi e pashë që nuk ka kërkim falje prej këtij zyrtari, u detyrova ta përcaktoj një shumë prej 3, 500 euro për të cilat kisha menduar që t’i dedikoja për bamirësi dhe në momentin kur drejtori e kishte parë që nga kjo shumë nuk tërhiqesha pastaj, në atë moment vendosi me më kërku falje publike, kështu që Gjykata e pëfundoi me këtë aktvendim”, thotë Millaku.

Në aktvendimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit të cilin e posedon KALLXO.com, me të cilin ishte arritur pajtimi gjyqësor mes palëve, e që tani ka karakterin e aktgjykimit të plotfuqishëm thuhet se i padituri Hasan Hasani nga Prizreni, pajtohet që të kërkojë falje publike para gjykatës dhe paditëses, për fjalët e përdorura më 05.11.2014 të cilat i janë thënë paditëses Drita Millaku në zyrën e tij.

Drejtori i Shërbimeve Publike Hasan Hasani, nuk u përgjigj në pyetjet e dërguara nga KALLXO.com.

Millaku, pas përfundimit të këtij rasti inkurajon të gjithë qytetarët që sa herë që ata të ndihen të fyer dhe ofenduar t’ i drejtohen organeve të drejtësisë, ngase tani pas kërkim faljes publike ajo thotë se ndjehet më e lehtësuar.

“Kjo kërkim falje më ka lehtësuar shpirtërisht, duke qenë nënë dhe duke qenë grua. Deri në këtë moshë nuk ka pasë njeri të më ofendojë, është hera e parë dhe e kam përjetu shpirtërisht dhe moralisht shumë keq për këtë arsye edhe e kam marrë një hap të tillë, për me i tregu se deri në çfarë mase lejohet fyerja ose ofendimi ndaj femrës”, tha Millaku. /KALLXO.com/

Leave a Reply

Your email address will not be published.