Një transparent ku kërkohej nga UEFA që ta pranojë Kosovën në gjirin e saj, i ka çartur serbët. Madje, mediat serbe e kanë quajtur këtë veprim si skandaloz.
Sipas tyre, ky është një incident dhe provokim politik, dhe që me të duhet të merren më seriozisht organet kompetente.
“Një grup tifozësh të Bayern Munichut, në ndeshjen e mbrëmshme ndaj Viktoria Plzen e kanë shpalosur një parullë me mesazhin:
‘Pranojeni Kosovën në UEFA’. Kjo ka ndodhur në minutën e 80-të dhe ky transparent mund të shihej për disa minuta në tribunën e veriut. Ky është incident me prapavijë politike dhe nuk është hera e parë që ndodh”, kanë shkruar mediat serbe.
Sezonin e kaluar, në finale të Ligës së Kampionëve, Xherdan Shaqiri e kishte shpalosur flamurin e Republikës së Kosovës, duke u konsideruar si veprim skandaloz nga mediat serbe.