Lajmet e fundit
Sistemi i ujitjes pikë-pikë, shpëtim për bujqësinë

Sistemi i ujitjes pikë-pikë, shpëtim për bujqësinë

Investimet në bujqësi, i kanë ngjallur shpresat e bujqve që të përkushtohen sa më shumë për të punuar tokat e tyre. Një i tillë ka inkurajuar fermerët e Apterushës së Rahovecit. Megjithatë, shumë fshatra presin që “dora e shtetit” të arrij sa më parë në mesin e tyre, për t`iu krijuar të paktën kushtet elementare për tu marrë me bujqësi.

Shaip Raba, thotë se ka investime në sferën e bujqësisë, por jo aq sa bujku ka nevojë për atë ndihmë. “Nuk mund të themi se nuk na ka përkrah askush, por sikur po janë të vogla ato ndihma që po na ofrohen. Ndoshta do të duhej që të bëhej një strategji shumë më e mirë e investimeve se ku po investohet dhe në çka po investohet. Për ne, shumë më mirë do ishte sikur ta kishin sistemin e ujitjes në arat tona që vërtetë është shumë i domosdoshëm, sidomos në këto dy-tri vitet e fundit ku thatësia po dominon më shumë”, thotë Raba për portalin “Ferma Ime”.

Por, një investim shumë i mirë, ai i instalimit te sistemit të ujitjes pikë-pikë, është bërë në fshatin Apterushë të komunës së Rahovecit . Tashmë bujqit e asaj ane i janë gëzuar këtij investimi, që sipas tyre, sjell përfitime të mëdha dhe krijon kushte shumë të lehta për punësim.

Bahredin Spahiu, bujk po nga ky fshat, i tha se asnjëherë nuk kanë pasur kushte më të përshtatshme për tu marrë me bujqësi sesa tani në këtë kohë. “Për ne bujqit e kësaj ane është fat i madh që ky projekt ka ardhur në këtë vend. Tashmë neve na janë krijuar të gjitha mundësitë që të merremi me bujqësi. Më nuk i friksohemi thatësisë, sepse po na vjen sistemi i ujitjes pikë-pikë, i cili do të jetë shpëtim edhe për kulturat tona, pavarësisht se a merr thatësi dhe sa arrijnë temperaturat”, thotë bujku Spahiu.

Investimet e Qeverisë së Kosovës në sistemin pikë-pikë, ekspertët i vlerësojnë si hap të mirë për ta quar përpara bujqësinë.

Agron Spahiu, si një ekspert i cili mundohet që në Kosovë të sjellë përvojën e tij si inxhinieri i bujqësisë në Gjermani, thekson se hapi i parë që duhet të bëhet është instalimi i sistemit pikë-pikë në tërë fushat bujqësore. “I vetmi përshpejtim, të themi ashtu i bujqësisë në Kosovë drejtë një zhvillimi shumë më të hovshëm, është pikërisht sistemi i ujitjes pikë-pikë. Kosova ka tokë pjellore që jep fryte shumë të mëdha. Por, gjatë stinës së verës, kur temperaturat janë më të larta, atëherë problemi i parë që bujqit përballen është thatësia. Si pasojë e saj edhe rendimentet janë shumë më të ulëta dhe bujkut i duhet një shtytje në këtë drejtim”, thotë Spahiu.

Ky ekspert, thotë se sistemi pikë-pikë është ai që sjell shumë të mira për bujkun, duke e ujitur tokën dhe kulturat e tij bujqësore. “Me këtë sistem, jo vetëm që rendimentet do të jenë më të mëdha dhe bujku do të ndahet i kënaqur nga puna që ka bërë gjatë tërë verës, por edhe ai produkt është shumë më i shëndosh kur ka ujë pranë rrënjës së tij sesa ai që i ekspozohet temperaturave të larta e rrënjët i ka të thara nga vapa”, thotë inxhinieri Agron Spahiu.

Faza e parë e këtij projekti është 100 mijë euro. Ndërsa, projekti në tërësi do të kushtojë 250 mijë euro mjete këto të siguruara nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe komuna e Rahovecit. Në këtë projekt pritet të përfshihen 80 hektarë, që do të kenë të instaluar sistemin e ujitjes pikë-pikë. Përparësi e këtij projekti, është sepse nuk shpenzon energji elektrike, meqë i tërë sistemi është i shtrirë me rënie të lirë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.