Agjenda evropiane tashmë është në rrugë të mbarë, dhe na takon neve, që në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë ta shtyjmë këtë agjendë edhe më tutje përpara, e kjo arrihet vetëm me një angazhim dhe përkushtim edhe më të madh nga të gjithë ne së bashku.
Kështu është shprehur Thaçi në takimin e përbashkët të Komitetit Drejtues për Liberalizimin e Vizave dhe Ekipit Negociator për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.
“Në aspektin e ri-integrimit na duhet të krijojmë kushte sa më të mira për ri-integrimin e personave të riatdhesuar, posaçërisht rastet e rënda me nevoja të veçanta shëndetësore, por edhe për komunitetet të cilat kanë nevojë për përkujdesje institucionale”, tha Thaçi.
Ai po ashtu tha se duhet fokusuar edhe më tutje në përmirësimin e sigurisë së dokumenteve në nivel komunal.
“Sa i përket Menaxhimit të Integruar të Kufirit, shpresoj që ky të jetë prioritet i të gjithëve dhe të trajtohet si i tillë. Shpresoj që nuk do të ketë mungesë të vullnetit, përkushtimit apo financave për të zbatuar MIK-un në kapacitetin e plotë, ashtu siç edhe është e paraparë me ligje dhe strategjisë në fuqi”, tha ai.
Sipas tij, zbatimi i strategjive në luftimin e krimit të organizuar, korrupsionit, trafikimit me qenie njerëzore është parakusht për liberalizim të vizave siç është edhe bashkëpunimi ndërinstitucional në mes të institucioneve për zbatimin e ligjeve
“Siç e dini të hënën fillon negocimi zyrtarë për MSA. Ky tashmë është motiv shtesë për punë dhe përkushtim edhe me të madh për të gjithë ne. Tani më Kosova është futur në rrugën e sigurt drejt anëtarësimit të plotë në BE. Ky moment kërkon reflektim nga ana jonë dhe është përgjegjësi shtesë që ritmi i punës të jetë edhe më i shtuar dhe përkushtimi asnjëherë të mos mungojë. Në këtë drejtim, ju ftoj të gjithëve që të vazhdoni të ofroni përkrahjen e nevojshme për krijimin e parakushteve për të siguruar zbatimin efektiv të agjendës Evropiane për Republikën e Kosovën”, tha ndër të tjera, Thaçi.