Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga ka deklaruar se ishte nder dhe privilegj që të jetë sot dëshmitare e ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit të arritur ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
“Sot u bashkuam, pavarësisht dallimeve tona e orientimit tonë politik, të përgjegjshëm për peshën historike të këtij momenti. E hodhëm bashkërisht këtë hap jetik për qytetarët e Republikës së Kosovës, për forcimin e perspektivës evropiane të shtetit tonë dhe nisëm rrugën e pakthyeshme për ta bërë Kosovën anëtare të Bashkimit Evropian”.
“Ky rrugëtim vazhdon të jetë plot sakrifica dhe ne duhet të jemi të vëmendshëm për listën e gjatë të prioriteteve që na presin për ta bërë Republikën e Kosovës vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. ” ka theksuar e para e shtetit të Kosovës.
Sipas Jahjagës, përtej simbolikës së fuqishme të orientimit proevropian, ratifikimi i MSA-së duhet të shihet si fillim i një përkushtimi institucional dhe shoqëror për reforma të thella, të cilat siç tha jahjaga “do ta forcojnë demokracinë tonë të brendshme dhe do ta përmirësojnë nivelin e qeverisjes dhe standardin e jetesës për secilin qytetar.”
“Kjo ditë dikur na dukej e paimagjinueshme dhe paarritshme. Kjo ditë erdhi. Kjo ditë është për gjeneratën e re të Republikës së Kosovës, për të gjitha mundësitë që atyre do t’iu ofrohen për të pasur një të ardhme të sigurt” ka thënë Jahjaga.